Tërhiqet kreu i kompanisë mëmë të platformës ‘TikTok’

Yiming, në një letër drejtuar punonjësve të kompanisë 'ByDance', tha se pasi të heq dorë nga funksioni i shefit ekzekutiv ai do të përqendrohet në strategjinë afatgjate, kulturën e korporatave dhe përgjegjësinë sociale

Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i kompanisë kineze ‘ByDance’, Zhang Yiming, ka njoftuar se do të tërhiqet nga funksioni i tij në fund të këtij viti, duke hapur rrugën për një ndryshim në lidershipin e kompanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

‘ByDance’ zotëron platformën e njohur të mediave sociale me video të shkurtër ‘TikTok’.

Yiming, në një letër drejtuar punonjësve të kompanisë ‘ByDance’, tha se pasi të heq dorë nga funksioni i shefit ekzekutiv ai do të përqendrohet në strategjinë afatgjate, kulturën e korporatave dhe përgjegjësinë sociale.

E përditshmja kineze ‘Global Times’ raportoi se ai do të pasohet nga Liang Rubo, i cili është bashkë-themelues i kompanisë ‘ByDance’ dhe aktualisht drejton sektorin e burimeve njerëzore të kompanisë.

‘ByDance’, me seli në Pekin, u themelua në vitin 2012 dhe ka rreth 60 mijë të punësuar.

“Tani, për zhvillimin afatgjatë të kompanisë, në mënyrë që të krijojë më shumë mundësi Zhang duhet të dalë nga menaxhimi i përditshëm dhe të përqendrohet në punën që nuk është urgjente, por është me rëndësi për zhvillimin e kompanisë. Prandaj, unë do të marrë përgjegjësitë e tij si shef ekzekutiv. Kjo është një sfidë e madhe për mua dhe ka shumë presion”, u tha pasardhësi Liang punonjësve në një letër të brendshme.

‘TikTok’ ka fituar sukses të madh në periudhë të shkurtër kohore dhe midis të rinjve është një aplikacion i famshëm për video në telefonat e mençur.