Tërhiqet qeveria, sigurimi i makinave “në dorë” të kompanive (Kushti)

Sigurimi i detyrueshëm i automjeteve në Shqipëri zë pjesën më të  madhe të tregut të sigurimeve në vend.

Projektligji për sigurimin e automjeteve në bazë të historikut të aksidenteve është dorëzuar në Kuvend. Qeveria është tërhequr nga varianti i parë sipas të cilit zbatimi i këtij sistemi  ishte i detyrueshëm duke e lënë në dorë të kompanisë, zbatimin e sistemit të njohur si bonus-malus. Në nenin 7 të projektligjit theksohet se, shoqëria e sigurimit mund të përfshijë këtë sistem në përcaktimin e tarifave të sigurimit.

Sistemi “Bonus-Malus” parashikon që një kompani të ofroj çmime më të ulta siguracioni për drejtuesit e rregullt të automjeteve. Pritet të penalizohen ata që janë përfshirë në aksidente. Këta drejtues do të paguajnë më shtrenjtë policën e sigurimit.

Sistemi “Bonus-Malus” ka dhënë efekte pozitive në të gjitha vendet ku është zbatuar. Rezulton se ka ndikuar në uljen e numrit të aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së njerëzve, por, në Shqipëri, zbatimi  do të mbetet në dëshirën e kompanive të sigurimit.

Ligji ka pësuar dhe një tjetër ndryshim, përcaktohet afatit për dëmshpërblimin e dëmeve. Pagesa e dëmshpërblimit ndaj personit duhet të bëhet nga kompanitë brenda 90 ditëve, ndërsa për dëmet e pronave propozohet 30 ditë.

Për dëmshpërblime deri në 100 mijë lekë, përcaktohet një afat prej 14 ditësh për kompensimin.

Sigurimi i detyrueshëm i automjeteve në Shqipëri zë pjesën më të  madhe të tregut të sigurimeve në vend. Vetëm gjatë 2020 në vend shuma totale e sigurimit të makinave vlerësohet  të jetë 9.4 mld lekë në total./Abcnews.al

Lajme të ngjashme