Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke komentuar referendumin të mbajtur dje në Maqedoni për pranimin e marrëveshjes me Greqinë dhe hapjen e derës për hyrjen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, tha se “Qytetarët e Maqedonisë, me vullnetin dhe votën e tyre në referendumin demokratik, vendosën për emrin e ri dhe të ardhmen e tyre euroatlantike”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një mesazh të publikuar nga rrjeti social, presidenti Thaçi është shprehur se “Qytetarët e Maqedonisë, me vullnetin dhe votën e tyre në referendumin demokratik, vendosën për emrin e ri dhe të ardhmen e tyre euroatlantike. Votuesit e djeshëm, përfshirë edhe tërë bashkëkombësit tanë shqiptarë atje, dëshmuan qytetari dhe vullnet të qartë pro vlerave perëndimore”.
Duke shpresuar dhe uruar që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë “të marrë vendimin e duhur proevropian”, Thaçi ka theksuar se “Ballkani Perëndimor ka nevojë për lidership dhe vendime të rëndësishme, që e forcojnë fqinjësinë e mirë dhe që rajonin tonë e integrojnë sa më shpejtë në Bashkimin Evropian”.
Sipas rezultateve të para të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në referendumin e djeshëm konsultativ për ndryshimin e emrit të Maqedonisë dhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE kanë dalë 36.87 për qind, prej të cilëve 91.48 për qind ose 605.016 vota e qytetarëve votuan “për”.



