2.5 C
Tiranë
E shtunë, 29 Janar, 2022

Thellohet kriza politike në Britani/ Dorëhiqet ministri për Brexit-in

Kriza politike që ka përfshirë Kryeministrin britanik Boris Johnson është thelluar me dorëheqjen e një aleati të tij të afërt, ministrin për Brexit-in, David Frost, i cili përmendi si arsye kufizimet e vendosura për pandeminë dhe drejtimin e qeverisë.

Zoti Frost ka drejtuar negociatat e Britanisë në periudhën post-Brexit me Bashkimin Evropian. Zoti Frost shprehu pakënaqësinë e tij me politikat e qeverisë gjatë një fjalimi muajin e kaluar, ku u shpreh se ishte i shqetësuar që Britania nuk po e shfrytëzonte avantazhin e krijuar me daljen nga BE-ja, për të krijuar një kurs të ri qeverisjeje të kufizuar, taksash më të ulëta dhe pakësim të kufizimeve ligjore.

Në letrën e tij të dorëheqjes të shtunën, zoti Frost i rikthehet kësaj teme duke u shprehur se “ju i dini shqetësimet e mia për drejtimin e tanishëm. Shpresoj se do të lëvizim me shpejtësinë më të madhe të mundshme për arritur aty ku duhet të jemi: tek një ekonomi me rregulla të lehta, me taksa të ulëta dhe me sipërmarrje, në ballë të shkencës moderne dhe të ndryshimit ekonomik”.

Ai përmend irritimin e tij me masat e rikthyera shtrënguese për pandeminë, duke thënë se “na duhet gjithashtu të mësohemi të jetojmë me COVID-in dhe e di që këtë instikt e keni edhe ju. Morët një vendim të guximshëm në korrik, megjithë kundërshtimin e konsiderueshëm, për ta hapur vendin sërish. Fatkeqësisht nuk rezultoi të jetë e pakthyeshme, siç shpresoja, dhe besoj se shpresonit edhe juve. Shpresoj se do të kthehemi sërish në rrugën e duhur dhe të mos tundohemi nga lloji i masave shtrënguese që kemi parë gjetiu”.

Largimi i zotit Frost përmbyll shtatë ditë pësimesh të mëdha për zotin Johnson. Javën e kaluar, zoti Johnson u përball me një nga rebelimet më domethënëse parlamentare në historinë moderne britanike. Mbi 100 nga ligjvënësit e partisë së tij konservatore votuan kundër rikthimit të kufizimeve të ashpra për pandeminë dhe kundër miratimit të kufizimeve të reja, ndër to edhe futjen e pasaportave të vaksinimit për të hyrë në klube dhe në mjedise ku zhvillohen aktivitete të mëdha. Kryeministri i gjendur në vështirësi u trondit edhe më tej nga një humbje e rëndë në zgjedhjen e pjesshme parlamentare në zonën e Anglisë së Mesme, ku kishin fituar pa ndërprerje konservatorët që nga viti 1832./ VOA

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme