Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP), Saeb Erekat, bëri thirrje për mbrojtje ndërkombëtare të Rripit të Gazës, e cila është në shënjestër të forcave izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).
Erekat përmes Twitterit rikujtoi se forcat izraelite vetëm gjatë disa viteve të fundit kanë vrarë mijëra palestinezë, në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë.
“Qeveria izraelite duhet të vetëdijesohet se të gjitha sulmet mbi popullin palestinez do të paraqiten në Gjykatën Penale Ndërkombëtare”, ka thënë Erekat.
Ai theksoi se Izraeli është përgjegjës për tensionet në zonën e Gazës. “Përsëri bëjmë thirrje për mbrojtje ndërkombëtare të Gazës. Duam që bashkësia ndërkombëtare të bëjë çdo gjë që duhet për të penguar një masakër të re në Gaza”, ka thënë Erekat.
Rikujtojmë, se ushtria izraelite për shkak të rritjes së tensioneve në Rripin e Gazës, njësive të saj që ndodhen në zonën kufitare u ka dërguar tanke.
Ushtria izraelite sot njoftoi se ka nisur sulme ajrore në Rripin e Gazës pasi një raketë e lëshuar nga Gaza ka goditur një autobus në territorin izraelit.
Në sulmet izraelite mbi Rripin e Gazës mbetën disa palestinez të vrarë dhe disa të plagosur.
Raporti gjithashtu thekson se rreth 200 raketa janë shkrepur nga Rripi i Gazës në anën izraelite, 60 prej të cilave u neutralizuan nga sistemi antiajror, duke shtuar se 21 persona u plagosën në anën izraelite, një prej të cilëve është më plagë të rënda, ndërsa siç pretendohet, i plagosuri është ushtar izraelit.
Hamasi njoftoi mbrëmë se ushtarët izraelitë kaluan kufirin dhe hynë në tre kilometra në Rripin e Gazës dhe se në Khan Younis bënë atentat ndaj Nuri Berek, një nga komandantët e brigadës Ezzedine al Qassam.



