TIKA mbështet kopshtet në Maqedoninë e Veriut në luftën kundër COVID-19

TIKA në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë së Veriut sot dhuroi 150 punkte për dezinfektim dhe 100 pajisje për matjen e temperaturës së trupit

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) ka siguruar punkte për dezinfektimi dhe termometra pa kontakt për kopshtet në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

TIKA në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale të Maqedonisë së Veriut sot dhuroi 150 punkte për dezinfektim dhe 100 pajisje për matjen e temperaturës së trupit.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska në deklaratën e saj për media tha se në rast të pandemisë çdo ndihmë është e mirëseardhur, duke i shprehur mirënjohje Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA) për ndihmën e punkteve të dezinfektimit dhe termometrat pa kontakt.

“Ky është një kontribut tjetër për mënyrën se si mund të sillemi në mënyrë të sigurtë në këtë situatë ku virusi është i pranishëm në të gjithë botën”, tha Shahpaska.

Koordinatori i TIKA-s në Shkup, Halim Omer Sogut tha se TIKA sot dhuron punkte dezinfektimi dhe termometra pa kontakt për kopshtet dhe qendrat për zhvillimin e fëmijërisë së hershme në të gjithë Maqedoninë e Veriut.

“Në këtë mënyrë, ne duam të kontribuojmë në përpjekjet për të parandaluar efektet negative të shkaktuara nga pandemia e COVID-19, të cilat mund të rriten me fillimin e shkollimit, ndryshimin e kushteve të motit dhe rritjen e kohës që do të kalojmë në mjedise të mbyllura”, theksoi Halim Omer Sogut, koordinator i TIKA-s në Shkup.

Ai gjithashtu theksoi se ata duan që programi “Arsim i Shëndetshëm dhe i Qëndrueshëm” të mbështesë sektorin e arsimit dhe shëndetit të Maqedonisë së Veriut.

Ministrja Shahpaska kur u pyet nga gazetarët, si është gjendja në kopshtet me epideminë e COVID-19, tha se që nga hapja e kopshteve më 9 shtator, numri i përgjithshëm i fëmijëve pozitivë me koronavirus është 15, ndërsa virusi është regjistruar tek 44 punonjës, të cilët aktualisht janë në izolim.

Duke deklaruar se rreth 190 fëmijë janë në izolim, Shahpaska tha se fëmijët nuk morën infeksion në kopshte dhe se këtë informacion e morën nga epidemiologët.

Ajo tha se të gjithë janë mirë me shëndet dhe se një numër i madh kanë dalë nga izolimi.