TIKA shpërndan ndihma në Kosovë për shkak të COVID-19

Koordinatori i Zyrës së TIKA-s në Prishtinë, Hasan Burak Ceran tha se TIKA do të shpërndajë pako ushqimore në 10 komuna të Kosovës

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë sot në Komunën e Prishtinës 370 pako për familjet në nevojë, me qëllim të ruajtjes së mirëqenies shoqërore si pjesë e luftës kundër shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19) në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e dorëzimit të pakove ushqimore, ku morën pjesë kreu i kësaj komune, Shpend Ahmeti, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar si dhe koordinatori i Zyrës së TIKA-s në Prishtinë, Hasan Burak Ceran, ndihmat nga kreu i Prishtinës u vlerësuan mjaft të rëndësishme për qytetarët.

Ahmeti tha se “Turqia si shtet dhe Agjencia TIKA vazhdimisht e kanë ndihmuar Komunën e Prishtinës në projekte të ndryshme dhe sot ato na gjinden kur e kemi më së vështiri”.

“Sot fillojmë, po e them fillojmë sepse ndihma e TIKA-s dhe Turqisë nuk ka të ndalur, por, sot fillojmë me 370 pako ushqimore të cilat do t’i shpërndajmë në Komunën e Prishtinës. 300 tek rastet sociale dhe 70 tek rastet e minoriteteve, në këtë rast minoritetit turk, të cilët kanë nevojë për ndihmë”, tha Ahmeti i cili shtoi se pakot përmbajnë miell, vaj, produkte bazike, të cilat qytetarëve në këtë kohë u nevojiten më së shumti.

Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sakar tha se Kosova është një vend me të cilin Turqia është në solidaritet edhe para luftës, por në këtë kohë të pandemisë tha se është mësuar “se sa është e rëndësishme ta ruajmë këtë solidaritet”.

Sakar tha se në Turqi është filluar një fushatë me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan “ne i mjaftojmë njëri-tjetrit”, mirëpo solidariteti po tregohet edhe jashtë kufijve të shtetit turk.

“Në javën e kaluar, duke përfshirë edhe Kosovën kemi dërguar ndihma për të gjitha shtetet e Ballkanit. Po ashtu sot jemi të kënaqur që edhe me anë të TIKA-s jemi duke vazhduar të tregojmë solidaritetin me miqtë tanë në Kosovë”, tha Sakar.

Koordinatori i Zyrës së TIKA-s në Prishtinë, Hasan Burak Ceran tha se TIKA do të shpërndajë pako ushqimore në 10 komuna të Kosovës.

“Shpërndarja e pakove ushqimore fillon prej sot dhe do t’i përfshijë 10 komuna me gjithsej 1.600 pako ushqimore. Dhe, ashtu siç do të ndodhë në Prishtinë po ashtu edhe në komunat e tjera do të shpërndahen për familjet në nevojë. Ne do të mundohemi që para fillimit të Muajit të Ramazanit këto pako të mbërrijnë në shtëpitë e familjeve në nevojë”, tha Ceran.

Në kuadër të ndihmës në luftën ndaj koronavirusit në Kosovë, Turqia ka dërguar me aeroplan ushtarak një kontingjent me ndihma edhe më 8 prill, me teste për diagnostikimin e koronavirusit, dorëza dhe maska mbrojtëse.