TikTok paralajmëron procedurë ligjore kundër ndalesës së Trump-it

"Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç që të bëjmë apel përmes gjyqësorit në mënyrë që të sigurohemi që sundimi i ligjit të mos injorohet dhe që kompania jonë dhe përdoruesit tanë të trajtohen në mënyrë të drejtë", tha TikTok

TikTok, aplikacioni për ndarjen e videove të shkurtra, njoftoi se do të ndërmarrë hapa juridikë për të apeluar vendimin e SHBA-së për ndalimin e aplikacionit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç që të bëjmë apel përmes gjyqësorit në mënyrë që të sigurohemi që sundimi i ligjit të mos injorohet dhe që kompania jonë dhe përdoruesit tanë të trajtohen në mënyrë të drejtë”, tha TikTok në një deklaratë.

Duke theksuar se për rreth një vit janë përpjekur të komunikojnë me presidentin e SHBA-së Donald Trump, TikTok deklaroi se po përballet me mungesë të procesit ligjor dhe një administratë “jo të interesuar për faktet”.

Në deklaratë gjithashtu theksohet se të dhënat e përdoruesve në aplikacionin TikTok nuk u janë dorëzuar autoriteteve kineze.

Ndërkohë, një grup amerikanësh me origjinë nga Kina kanë ngritur një padi të veçantë kundër ndalimit të WeChat, një tjetër aplikacion kinez i medias sociale.

TikTok tashmë është ndaluar edhe në Indi, ndërsa Australia gjithashtu po planifikon të ndërmarrë veprime kundër këtij aplikacioni.

Trump ka thënë se aplikacionet mobile të zhvilluara dhe në pronësi të ndërmarrjeve kineze “kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA-së, politikën e jashtme dhe ekonominë”, duke pretenduar se ato mund të mbledhin informacione personale dhe t’i përdorin ato për shantazhim dhe spiunazh.

Në fillim të muajit, Trump kishte paralajmëruar se SHBA do të ndalojë aplikacionin TikTok, duke thënë se vendi i ka menduar për një kohë masat që do të merren kundër këtij aplikacioni.

Ai ka thënë se për shkak të shqetësimeve të sigurisë, nuk duan që TikTok të jetë nën kontrollin e Kinës, duke shtuar se aplikacioni duhet të blihet nga Microsoft ose ndonjë firmë e ngjashme amerikane.

“Nëse nuk i shitet Microsoft-it ose ndonjë firme tjetër, ne do ta mbyllim TikTok-un më 15 shtator”, ka deklaruar Trump.TikTok paralajmëron procedurë ligjore kundër ndalesës së Trump-it