Tirana kampion, festë dhe incidente

Tirana shpallet kampione e Shqipërisë për herë të 25-të në historinë e futbollit tonë.

Tirana shpallet kampione e Shqipërisë për herë të 25-të në historinë e futbollit tonë.

Edhe pse ndeshjen e saj e kish luajtur një ditë më parë fitorja e së dielës e Vllaznisë me Kukësin i dha mundësinë bardhebluve që të zyrtarizojnë titullin 2 javë përpara përfundimit të sezonit. Shkodranët fituan për llogari të tyre një ndeshje shumë të rëndësishme që i jep ende shpresë që të shpëtojnë zonën “play out”. Goli i Adilit ndërpreu gjtihashtu garën e Kukësit për trofeun kryesor që kishin në këtë sezon.Mjaftoi kaq që rrugët e kryeqytetit të mbusheshin me makina dhe grumbullime të mijëra tifozëve në sheshet kryesore të kryeqytetit, raporton Top Channel.

Më pas policia ka tentuar të shpërndajë tifozerinë bardheblu e cila nga sheshi “Nënë Tereza” u spostua drejt stadiumit “Selman Stërmasi” , ku uniformat blu tentuan të shoqërojnë disa prej tyre.

Zyrtarisht nuk është proceduar asnjë nga tifozët thjesht kanë qenë përpjekje për të shpërndarë turmat, të cilat janë të ndaluara në një situatë të tillë pandemie në vendin tonë. Si rrjedhojë kjo gjendje nuk do t’i japë mundësi as klubit që në këtë vit jubile të 100-vjetorit të festojë titullin e tij të 25-të me tifozerinë e tij, pavarësisht ceremonive që vetë drejtuesit e klubit po organizojnë. Sa i përket ndeshjeve të tjera të javës së 34-të Teuta barazoi pa gola me Partizanin ndërkohë që Laci mundi Bylisin me shifrat 3-0. Kjo humbje i lë ballshiotët në një garë të hapur me Vllazninë për vendin e “play-out”-it që është vendi i 8-të, kur kanë mbetur edhe dy javë kampionat.