Tiranë, Ambasada Turke, Instituti “Yunus Emre” dhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke shtrojnë iftar

Në iftarin e shtruar në sheshin "Nënë Tereza" morën pjesë personalitete nga sfera të ndryshme

Ambasada e Turqisë në Shqipëri ka shtruar iftar në Tiranë ku kanë marrë pjesë personalitete nga sfera të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Në iftarin e organizuar në sheshin “Nënë Tereza” nga Ambasada Turke në Tiranë në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe Turke dhe me Institutin Yunus Emre – Tiranë, morën pjesë ministrja e shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, kryetari i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Turqi Ilir Beqja, nënkryetari i Gjysmëhënës së Kuqe Turke İsmail Hakkı Turunç, zyrtarë të nivelit vendor si dhe përfaqësues të OJQ-ve të ndryshme në vend.

Në fjalën e tij të mbajtur nënkryetari i Gjysmëhënës së Kuqe, İsmail Hakkı Turunç tha se “Kultura jonë pasqyron paqe dhe solidaritet dhe bazuar në këto vlera ne si Gjysmëhëna e Kuqe Turke kryejmë veprimtari humanitare në 36 shtete të botës në bashkëpunim me autoritetet vendore përkatëse në këto momente kur bota ka më shume nevojë për dashuri. Në një botë ku vdesin çdo ditë 23 mijë njerëz dhe në çdo 8 minuta humb jetën një femijë nga etja, ku afërsisht 70 milionë emigrantë të detyruar nga kushtet ekonomike luftojnë për mbijetesë ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim ndërmjet njëri-tjetrit”.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük në fjalën e tij vuri theksin në muajin e bekuar të Ramazanit për të frymëzuar që të jemi më vigjilentë ndaj ngjarjeve që po ndodhin në ditët tona. Ai theksoi se Ramazani do të thotë dashuri dhe sinqeritet dhe se ne mund të bëjmë që ky muaj i shenjtë të arrijë qëllimin e vërtetë, duke mos harruar t’i buzëqeshim, të tolerojmë e të respektojmë njëri-tjetrin.

“Për fat të keq, po kalojmë një periudhë të vështirë, ku njerëzimi po mbahet larg tolerancës dhe mirëkuptimit dhe ku dallimet apo diversitetet, të cilat jane pjesë përbërese e trashëgimisë sonë globale po kthehen në objekt konfliktesh. Sulmet terroriste që ndodhën në muajt e fundit në Zelandën e Re dhe në Sri Lanka, veçanërisht sulmet brutale kundër xhamive në SHBA, Kanada si dhe në Europë, na tregojnë madhësinë e kërcënimit të paraqitur nga ky konflikt”, tha Yörük.

Ai më tej tha se “Fatkeqësisht shohim se fenomene si anti-islamizmi, antisemitizmi, antikrishtërimi, anti-emigracioni po ndikojnë gjithë botën. Dhe për fat të keq partitë politike të krahut ekstrem të djathtë, populiste dhe polarizuese që përdorin këtë gjuhë urrejtjeje depërtojnë në qendër të politikës. Ata i udhëheqin masat e papërgjegjshme drejt qëllimeve konfrontuese dhe jondërtuese. Por le të mos harrojmë se për sa kohë që ne jemi të bashkuar do të forcohemi kundër këtyre fenomeneve çdo ditë e më shumë”.

Kujtojmë se gjatë muajit të bekuar të Ramazanit institucione të ndryshme turke kanë shtruar iftare vazhdimisht në qytete të ndryshme të Shqipërisë si dhe kanë dhuruar pako për familjet në nevojë në vend.