Tiranë, forum diskutimi mbi mbështetjen financiare për produktet shqiptare

Qëllimi i aktivitetit është të bashkojë politikëbërësit, donatorët, përfaqësuesit e bankave dhe të bizneseve për të vijuar diskutimet mbi maksimizimin e aksesit në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në periudhën post-COVID

Forumi i diskutimit me temë “Politikat e aksesit në financë – Mbështetje për produktet shqiptare” ka mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve dhe të shoqatave të biznesit për të diskutuar mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe për mbështetjen ndaj tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi i aktivitetit ishte të bashkojë politikëbërësit, donatorët, përfaqësuesit e bankave dhe të bizneseve për të vijuar diskutimet mbi maksimizimin e aksesit në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në periudhën post-COVID, në veçanti për bizneset shqiptare dhe në mbështetje të produkteve shqiptare.

Në fjalën e saj në aktivitet, ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj, tha se ky forum synon që komunikimi midis palëve të jetë i drejtpërdrejtë, për të parë se çfarë problematikash mund të zgjidhen në planin afatshkurtër dhe afatmesëm.

“Roli i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave ka qenë dhe mbetet mbështetja për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes politikave fiskale dhe të zhvillimit ekonomik. Në vite mbështetja direkte që i është dhënë biznesit të vogël dhe të mesëm nuk ka munguar”, tha Denaj.

Më tej gjatë fjalës së saj, ministrja Denaj tha se situate e pandemisë i ka vendosur përpara një sfide që projektet e nisura të rishikohen sa më shpejt, sipas saj, në mënyrë që biznesi i vogël dhe i mesëm të ketë mundësi të jetë i mbështetur.

Duke folur për skemën e garancisë sovrane, Denaj tha: “Kjo vjen si një nevojë e menjëhershme për të ndihmuar biznesin në mënyrë që të kemi likuiditete në këtë kohë pandemie dhe nga nevoja për të riorganizuar biznesin për vitet e ardhshme, të ketë mundësi t’i adresojë me financim. Konstatojmë që në shifra jemi ende mbrapa nga pritshmëria e biznesit dhe në këtë aspekt ka arsye. Ka ndryshuar mënyra se si biznesi po realizon të ardhmen. Nëse vazhdojmë me skemat tradicionale mund të jetë pak vështirë”.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Sokol Nano, në fjalën e tij tha se forumi ka si qëllim, jo vetëm të japë një panoramë të asistencës që institucionet japin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, por dhe të krijojë sinergji mes institucioneve të tjera që i vijnë në ndihmë biznesit të vogël dhe atij të mesëm.

“Në kohën e pandemisë sfidat e biznesit të vogël janë shtuar dhe për këtë biznesi i vogël ka nevojë për një solidaritet financiar më të madh. Ky forum, i dyti në radhën e katër të tillëve vjen si mbështetje ndaj biznesit dhe promovim të produkteve vendase. AIDA jep mbështetje financiare në dy forma kryesore. Nëpërmjet informacioneve dhe ndihmës teknike si dhe nëpërmjet mbështetjes së drejtpërdrejtë financiare me grante publike”, tha Nano.

Të pranishëm në këtë forum ishin edhe përfaqësues të bizneseve dhe bankave të ndryshme në vend.

Forumi u organizua nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në kuadër të forumeve në lidhje me nismat që kanë si objektiv promovimin dhe mbështetjen për produktet shqiptare.