Tiranë, forum diskutimi për promovimin e produkteve shqiptare

Në fokus të diskutimeve ishin sfidat për prodhimin e produkteve shqiptare, identifikimin e tregjeve të reja, certifikimin e prodhimit vendas, cilësinë dhe rritjen e konkurrueshmërisë në vend, rajon dhe më gjerë

Në Tiranë është mbajtur forumi i diskutimit me temë “Promovimi i produkteve lokale”, me fokus diskutimet mbi nismat dhe bashkëpunimin mes institucioneve për promovimin e produkteve shqiptare, raporton Anadolu Agency(AA).

Pjesë e aktivitetit ishin ministra të Qeverisë së Shqipërisë dhe përfaqësues të shoqatave të biznesit, duke diskutuar mbi sfidat për prodhimin e produkteve shqiptare, identifikimin e tregjeve të reja, certifikimin e prodhimit vendas, cilësinë dhe rritjen e konkurrueshmërisë në vend, rajon dhe më gjerë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, në fjalën e saj tha se qasja e politikave ekonomike në vitet e ardhshme nuk mund të zhvillohet pa debatet mes aktorëve kryesorë.

“Fokus është sme-ja (ndërmarrjet e vogla dhe të mesme) shqiptare, si do të mundemi të orientojmë politikat ekonomike për sme-të shqiptare për të rritur konkurrueshmërinë, cilësinë dhe aksesin në financë. Në fakt ky forum i parë së bashku me forumet e tjera do të duhet që t’u japin përfaqësuesve të qeverisë ato detyra shtëpie për të përcaktuar më pas cila politikë ekonomike është më e përshtatshme për biznesin sme shqiptar për të rritur konkurrueshmërinë në vitet e ardhshme. Nuk është një proces që ndodh në një ditë, është një udhëtim që duhet të ndodhë së bashku duke ndërtuar dhe duke zgjidhur ngërçet”, tha Denaj.

Ajo theksoi se objektivi është të “diskutojmë çfarë e bën produktin shqiptar të mos gjendet në të gjithë formatin e tij në tregun lokal, në supermarketet tona”.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në Qeverinë e Shqipërisë, Eduard Shalsi, tha se komunikimi me sipërmarrjen nuk ka qenë ndonjëherë kaq intensiv. “Jemi shumë të ndërgjegjshëm për problematikat. Por një gjë po bëjmë, mendoj unë si asnjëherë më parë, po sjellim institucionet afër njerëzve, po sjellim institucionet afër biznesit”, u shpreh Shalsi.

Forumi u organizua nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) dhe sipas organizatorëve të aktivitetit, do të organizohen edhe forume të tjera në lidhje me nismat që kanë si objektiv promovimin e produkteve shqiptare.