Trajneri i Vllaznisë: E vështirë të ruajmë motivimin te futbollistët

Thomas Brdariç i shqetësuar që nuk luhet...

Ndonëse po flitet shumë për një marrëveshje mes qeverisë e Ligës Profesioniste të futbollit, ende nuk ka një datë për fillimin e Kategorisë Superiore dhe kjo situatë ka krijuar shqetësim në të gjithë klubet e Superligës.

Një situatë e vështirë është krijuar edhe në Shkodër te Vllaznia, ku skuadra punon prej rreth dy muajsh me intensitet, por nuk ka ende një datë se kur mund të fillojnë të të luajnë dhe trajneri Brdaric ka shprehur hapur shqetësimin se e ka të vështirë të ruajë motivimin mes futbollistëve të tij.

Këtë shqetësim tekniku gjerman e ka shprehur në një takim me kryebashkiaken e Shkodrës Voltana Ademi dhe sponsorit të kuqebluve Alban Xhaferri, të cilët vizituan skuadrën në seancën e sotme stërvitore.

“Kjo situatë shpresojmë të kalojë sa më shpejt dhe të arrihet një marrëveshje ndërmjet palëve me qëllim që t’i rikthehemi ndeshjeve zyrtare. Kemi dy muaj që vetëm stërvitemi dhe kështu është e vështirë të ruash motivimin mes futbollistëve”, tha ndër të tjera trajneri Brdariç.

Nga ana tjetër kryebashkiakja Ademi dhe sponsori Alban Xhaferri kanë shprehur mbështetjen e plotë ndaj skuadrës, përmbushjen e të gjithë detyrimeve dhe mbi të gjitha angazhimin për të nxitur fillimin sa më shpejt të Kategorisë Superiore.