Trajtimi i të miturve që shkelin ligjin, nënshkruhet marrëveshja në Korçë

Korça bëhet bashkia e dytë pas Tiranës që përkrah me shumë pozitivitet dhe seriozitet nismën e Ministrisë së Drejtësisë për trajtimin miqësor të të miturve në kontakt me ligjin.

Korça bëhet bashkia e dytë pas Tiranës që përkrah me shumë pozitivitet dhe seriozitet nismën e Ministrisë së Drejtësisë për trajtimin miqësor të të miturve në kontakt me ligjin. Zv.Ministri i Drejtësisë Toni Gogu, ka nënshkruar me kryebashkiakun, Sotiraq Filo një marrëveshje, e cila plotëson kuadrin institucional për nisjen në praktikë të zbatimit të legjislacionit për drejtësinë për të miturit.

Sipas marrëveshjes, Bashkia e Korçë ka vënë në dispozicion të trajtimit dhe rehabilitimit të të miturve në kontakt me ligjin një qendër sociale miltidisiplinare. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, Shërbimi i Provës dhe gjithë zinxhiri i institucioneve të drejtësisë që trajtojnë çështjet e të miturve në konflikt me ligjin do të nisin punën për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin në kuadër të një drejtësie miqësore për ta.

“Kur një i mitur bie në kontakt me ligjin e gjithë bota e tij tronditet. Deri dje alternativat që ne kishim ishin ose rruga, ose burgu. Sot, me gjithë angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë, shoqërisë civile, të cilën gjej rastin ta falenderoj shumë, e shërbimeve sociale shtetërore, dhe profesionistëve të ligjit, ne po ndërtojmë një rrjet sigurie, që djemtë dhe vajzat tona, te cilët për një arsye apo një tjetër në jetën e tyre ndodhen përballë ligjit, të gjithë komponentët e vuajtjes së dënimit të tyre, mos ta bëjnë më të izoluar. Për shkak se jeta e tyre vazhdon dhe ata duhet të rikthehen në shoqëri”, theksoi z.Gogu gjatë ceremonisë së zhvilluar në qendrën multidisilinare të bashkisë Korçë.

Pas Tiranës dhe Korçës, është radha e Durrësit, Fierit e Gjirokastrës, e më pas gjithë bashkive të tjera për t’u bërë pjesë rrjetit të madh të drejtësisë miqësore për fëmijët./ATSH