Tranzicioni na duhet!

Nga Redi Shehu

Ndryshimi i sistemit politiko-ekonomik në fillmvitet’ 90 prodhoi një fenomen, të cilin më së miri e përshkruan Samuel Hungtington në Librin e tij “Rendi politik dhe shoqëritë në ndryshim”, atë të dhunës dhe destabilitetit. Këto të fundit, më së shumti prodhohen nga ndryshimi i menjëhershëm social si dhe nga mobilizimi i shpejtë i grupeve të reja në politikë, të cilat rezultojnë pastaj me zhvillim të ngadaltë dhe regresiv të institucioneve të politikës. Është pikërisht kjo që ka ndodhur tek ne, futja e menjëhërshme e grupeve të reja në politikën aktive për shkak të vakumit që la degradimi i grupeve të vjetra që përfqësonin sistemin komunist, prodhoi një ndryshim insititucional të ngadaltë dhe regresiv në terma të shoqërive demokratike. Ky ngadalësim, reflektohet në çrregullime institucionale dhe destabilitet politik, të cilat nuk arrijnë të kapin ritmin e ndryshimeve ekonomike të rendit të ri ekonomik.

E gjithë kjo situatë tranziti mes së shkuarës që po venitej dhe të ardhmes e cila nuk dukej, pëmrblidhet në formulën se nëse në një shoqëri ka pabarazi, sigurisht që ajo prodhon destabilitet. E meqë sinonimi i tranzicionit është destabiliteti atëherë mund të themi që burimi themelor me të cilin tranzicioni ka ushqyer dhe ushqen veten, është pabarazia sociale. Këtë e thotë Arioteli në “Politika” ku aryet e trazirave dhe kryengritjeve në shoqëritë e asaj kohe i shihte tek zanafillonin te pabarazia në një shoqëri. Destabiliteti jo vetëm që përpiqet të fitojë fashën kohore më të gjërë të mundshme në një shoqëri, duke e shtyrë sa më shumë formalizimin dhe institucionalizimin e saj, por ajo merr vrull sidomos nga fluksi i madh dhe i shpejtë i masave të popullsive që nga zonat rurale lëvizin drejt zonave urbane. Sa më e madhe të jetë pakontrollueshmëria e kësaj mase lëvizëse aq edhe më e madh është edhe masa e destabilitetit dhe për pasojë edhe e tranzicionit në një vend.
Teorikish dhe praktikisht në shumë vende demokracitë janë mjetet më të mira për zgjidhjen e konflikteve sociale, ku paqja e shoqërisë vendoset në sajë të riqepjes së plagës duke aplikuar proçesin e drejtësisë në vendosjen e gjërave. Mirëpo, në Shqipëri kjo formulë rezulton pak si e vështirë për arsye të mungesës së kulturës së kompromisit ngase shoqëria civile e për pasojë edhe kultura demokratike janë zëvendësuar me liderët karizmatikë të cilët i mbivendosen rolit të drejtësisë në pozicionimin e fenomeneve të shoqërisë. Tek ne, janë edhe dy elementë që i shtohen ndarjes sociale të cilat Fukuyama i përmend si dehomogjenizues të shoqërisë. Së pari, çekuilibri i kulturës urbane dhe rurale në një demokraci dhe së dyti, ndryshueshmëria e kulturave rajonale si e kundërta e homogjenizimit të shoqërisë. Këto dy elementë, të cilat për shkak të një jete akoma jo të plotë urbane në Shqipëri dhe diferencimit të madh midis jetës rurale dhe asaj urbane, janë një vlerë e shtuar në thellimin e ndasive përceptimore dhe politike të shoqërisë sonë. “Mes ligjeve që udhëheqin shoqërinë njerëzore” – shkruante Tocqueville- “është njëri i cili duket më i saktë dhe më i qartë se sa të tjerët. Nëse njeriu dëshiron të ngelet një qënie e civilizuar, atëhere arti i të jetuarit bashkë duhet të perfeksionohet në atë masë, sa ajo e barazisë së kushteve në të cilat ai jeton”.

Thelbi i një sistemi modern politik është padyshim legjitimiteti i cili i buron nga vullneti i pastër dhe i patransfomuar i zgjedhësve prej ndërhyrjeve jashtë këtij vullneti. Edhe pse buron nga ky vullnet, legjitimiteti është përherë në luftë për mbijetesë pasi kërcënohet nga ilegjitimja dhe pasiguria. Filozofi dhe sociologu gjerman Niklas Luhmann e përshkruan më saktë gjendjen e legjitimitetit në shoqëritë moderne; “Legjitimiteti – thotë ai – është një formë në të cilin sistemi politik pranon bashkëjetojë me pasigurinë e tij”. Nëse ky formulim i legjitimitetit flet për demokracitë e konsoliduara, çfarë duhet të themi për sistemet hibride në të cilat demokracia dhe autoritarizmi takohen në një pikë të vetme, që është absurdi? Pra, çfarë mund të thuhet për këto demokraci totalitare të cilat legjitimitin e kanë jashtë kutit të duhur, ku eliat politike mundohen të qëndrojnë në pushtet përmes keqpërdorimit të ideologjisë, të nacionalizmit, historisë dhe fesë duke i sherbetosur me karizëm e populizëm? Pasiguria atëherë kthehet në thelbin e këtyre sistemeve dhe tashmë ajo nuk duhet thjesht të bashkjetojë me legjitimen, ajo thjesht e gëlltit atë.
Tranzicioni, në thelb është një mekanizëm i përkohshëm i cili aktivizohet në rastet e ndryshimeve të mëdha në një shoqëri. Qëllimi i këtij mekanizmi është që ta çojë shoqërinë nga një moment historik tek tjetri duke mbartur me vetë të gjitha simptomat e këtij transformimi. Si një mekanizëm i përkohshëm, ai ka edhe një qëllim po aq të përkohshëm. Tranzicioni, për sa kohë qëndron në përkoshmërinë e tij, kthehet në një mekanizëm të nevojshëm dhe bëhet i dobishëm nëse masa e barazisë në një shoqëri, është, sic Tocqueville përmend, në proporcion me artin e të bashkëjetuarit të shoqërisë në tranzicion. Mirëpo, tranzicioni kthehet nga një mekanizëm i nevojshëm dhe i dobishëm, në një makth kur përkoshmëria e tij transfomohet në përhershmëri dhe kur dobia e tij degradon në dëm për shkak të humbjes së masës së duhur mes barazisë sociale dhe qëllimit të të bashkjetuarit të anëtarëve të saj. Pra, tranzicioni si mekanizëm i përkohshëm ka detyrë të bëjë një gjë të vetme, dhe gjëja e vetme më e rëndësishme për shoqërinë që i nënshtrohet këtij proçesi, është të mund t’i mbajë njerëzit të bashkuar për të ndërtuar të ardhmen post tranzicion.

Në këtë prizëm, ku edhe shoqëria jonë shijon këtë lloj pasigurie, burimi kryesor i saj përmblidhet tek korrupsioni si formë më eksplicite e padrejtësisë sociale e cila nga na e saj prodhon destabilitet. Korrupsionit jo vetëm në kuptimin material, por edhe korrupsionin e qëllimeve dhe vullneteve politike. Kështu, ne si shqiptarë kemi plotësuar trekëndëshit perfekt, korrupsion-padrejtësi-destabilitet nga i cili buron tranzicioni ynë, sepse tashmë ai është kthyer në gjënë më legjitime, tashmë tranzicioni nuk është në formatin i “ikshëm”, jo, ai është aty, ai është vetë legjitimiteti i sistemit në të cilin ne gjallojmë sot.
Tranzicioni na duhet sepse ai të lejon të bësh çdo gjë, të siguron përfitime të mëdha, të menjëhershme dhe të pagjurmueshme grupeve të mëdha të interesit. Për të (tranzicionin), ja vlen që të luftohet politikisht sepse ai të pajis me narrativën e heroit për të dalë prejt tij por pa e bërë kurrë një gjë të tillë. Ai na duhet sepse siç edhe Huntigton e përmend; “Korrupsioni transformohet në mirëmbajtësin e një sistemi politik ashtu siç edhe reformat janë. Korrupsioni mund të kthehet në zëvendësuesin e reformave, dhe të dyja, korrupsioni dhe reformat, mund të kthehen në zëvendësuesin e revolucionit.” Prandaj, ne na duhet tranzicioni sepse ai të pajis me bashkëjetesën perfekte mes korrupsionit dhe reformave, pra, mes progresit dhe regresit duke qëndruan në mënyrë perfekte në të njëjtin vend për dekada. Kështu revolucioni, në kuptimin e ndryshimeve sociale kundra padrejtësive dhe të keqes, bëhet i kotë në thelbin e tij, kthehet i panevojshëm sepse bashkejetesa e reformave me korrupsionin, e ka zëvendësuar tashmë ndryshimin duke e legjitimuar tranzicionin.
Në fund fare, ti si qytetar gjendesh i vetmuar në hallakatjen tënde sociale mes mijëra vogëlsish që nuk ndreqen kurrë, me sytë nga e ardhmja që shkëlqen gjithmonë por që kurrë nuk bën dritë, me shpresën se kësaj radhe e kanë seriozisht, por që skandalet pranë territorit tënd vetjak vetëm se përforcojnë ndjenjën e frikës dhe pakënaqësisë. Duket sikur ka një kusur kohe që ti kërkon diçka, por që për ty është e pamundur. Në fakt, ajo që t’i kërkon, është thjesht të jesh i qeverisur drejt dhe ndershëm por që të kthehet ty në mijëra forma të stërholluara politike e shantazhesh të cilat përfundojnë me shtetrrethim krimi. E ti vazhdon me optimizmin tënd të zverdhur, se vërtet kësaj radhe të përhershmit e tranzicionit, ndoshta e kanë seriozisht.