Tre javë nga hapja e shkollave, të dhënat e ministrisë për pandeminë tregojnë se nuk pati ndikim shqetësues

Të shtunën ministria raportoi për 152 raste të reja pas 1008 testimesh ndërkohë që në spitale u tha se ishin 200 pacientë, 24 prej të cilëve në terapi intensive.

Tre javë pas hapjes së shkollave, të dhënat e raportuara nga ministria e Shëndetësisë nuk tregojnë për ndikim përkeqësues të prirjes së pandemisë së COVID-19.

Duke përjashtuar rastet që mund të kalojnë pa shenja, përgjithësisht coronavirusit i duhet nga 5 deri në 14 ditë për të shfaqur sëmundje të mushkërive. Prej datës 14 shtator, kur nisi viti i ri shkollor e deri më sot – 20 ditë – të dhënat e raportuara nga ministria nuk tregojnë përkeqësim shqetësues të situatës, përkundrazi.

Të shtunën ministria raportoi për 152 raste të reja pas 1008 testimesh ndërkohë që në spitale u tha se ishin 200 pacientë, 24 prej të cilëve në terapi intensive.

Krahasuar me mesataren e muajit të shkuar – muaji i gjashtë (14 gusht-14 shtator), që kishte bilancin më të rëndë, – numri i pacientëve në spitale është shtuar nga mesatarisht 162 në ditë, në 185 gjatë njëzetë ditët e fundit (muaji i shtatë, që nis nga data 15 shtator).

Megjithatë treguesit që nxjerrin në pah anën lehtësuese të situatës janë rritja e testeve me prirje në ulje të rezultate negative. Ndërkohë që është rritur ndjeshëm numri i të shëruarve duke bërë që situata të rikthehet në prirjen ulëse të rasteve aktive.

Tre ditët e fundit autoritetet, – publike dhe jopublike, – shëndetësore kanë bërë mbi 1 mijë teste duke e rritur mesataren e përgjithshme. Muajin e shkuar mesatarja e testeve ishte 853 në ditë me një pozitivitet 17 për qind, – me mesatarisht 147 raste të reja në ditë.

Aktualisht me mesataren 862 teste, pozitiviteti ka rezultuar të jetë 15.9 për qind, – me mesastarisht 137 raste në ditë. Raporti i zhdrejtë i testeve kundrejt të infektuarve është lehtësues pasi tregon se perceptimi për përhapjen e infeksionit nuk është aq i madh sa pandehej në situatën kur bëheshin më pak teste.

Mesatarja ditore e të shëruarve u rrit nga 97 në 101 njëzetë ditët e fundit (kjo edhe për rrjedhojë se ka pasur më tepë të infektuar këtë periudhë), me rekordin ditor të shënuar të premten me 265 persona që kishin mundur ta mposhtin virusin.

Tashmë mbi 60 për qind e personave që janë prekur nga coronavirusi prej muajit mars, kanë mundur të shërohen (8,536 nga 14,117 të infektuar). Krahasuar me muajin e shkuar, raporti është përmirësuar me 3 për qind më shumë.

Ulja e rasteve të reja dhe rritja e të shëruarve mund të lehtësojë sistemin e shëndetësisë. Në tërësi të dhënat e ministrisë tregojnë se spitalet kanë mundur ta përballojnë fluksin e të shtruarve pavarësisht se prirja e pandemisë ka qenë shqetësuese.

Në përgjithësi, prej marsit, kur u diagnostikua me coronavirus pacienti i parë, autoritetet shqiptare kanë kryer mbi 91 mijë teste, prej së cilave kanë rezultuar pozitivë 14,117 persona. Nga këta, 60.4 për qind janë shëruar (8,536 persna), 36.7 për qind mbeten ende mbartës (5,189), ndërsa rreth 2.8 për qind nuk ia kanë dalë mbanë (392 persona).

Pas një periudhe të gjatë me kufizime aktivitetesh sociale dhe ekonomike, ekspertët e shëndetësisë kanë qenë të kujdesshëm për sa i përket hapjes së shkollave për ciklin fillor dhe atë të mesëm. Argumenti kryesor për hapjen tyre ka qenë se “fëmijët kanë prirje të ulët të përhapjes së infeksionit” dhe se “nëse shoqërohet me masa parandaluese” mbartja dhe përhapja prej tyre “mund të kufizohet”. Aktualisht ky qëndrim po rezulton bindës.

Këtij argumenti autoritetet i kanë shtuar masa të rrepta shëndetësore për t’u ndjekur. Deri më tani, të dhënat tregojnë se gjërat kanë shkuar mirë.

Mirëpo me ardhjen e stinës së ftohtë, hapjes së universiteteve – më 2 nëntor, – dhe zhvendosjes së aktiviteteve ekonomike e sociale në mjedise të brendshme, situata kërkon kujdes, gjë për të cilën autoritetet apelojnë për ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve.

Të dhëna domethënëse:

Coronavirusi u ka marrë jetën tre mjekëve: Anibal Byberi, Hysni Shkjau dhe Arian Pushi;

pas dy muajsh e gjysmë me mesatarisht mbi 2 vdekje në ditë, më 24 shtator u regjistrua dita e parë pa viktima mes pacientëve me COVID-19;

më shumë të shëruar në një ditë: 264 raportuar më 2 tetor;

më shumë raste në një ditë: 178 raportuar më 24 gusht;

më shumë viktima në një ditë: 6 raportuar dhjetë herë mes muajve korrik, gusht dhe shtator;

viktima më e re në moshë: 21 vjeç raportuar më 15 korrik;

Masa të rëndësishme:

prej 19 korrikut mbajtja e maskës në mjediset e mbyllura është bërë me detyrim;

nga muaji mars e deri në fund të shtatorit autoritetet ndaluan aktivitetet e bareve në mjedise të mbyllura;

prej 20 korrikut qeveria u ndalon muzikën bareve dhe restoranteve pas orës 20:00;

prej 19 korrikut qeveria lejon kryerjen e testit për antitrupa në klinika private të certifikuara;

prej 23 korrikut qeveria lejon kryerjen e testit me tamponë në klinika private të certifikuara;

qeveria ka siguruar 368 mijë vaksina kundër gripit që do t’u jepen punonjësve të shërbimeve publike dhe grupeve më të rrezikuara nga coronavirusi;

Të dhëna mbetur të paqarta:

Euronews Albania u interesua për numrin e testeve të kryera në shkolla dhe rezultatet e tyre gjatë javës së parë të mësimit, ministria e Shëndetësisë dhe ministria e Arsimit nuk u përgjigjën deri në momentin e botimit të këtij shkrimi;

ministria e Shëndetësisë raporton vetëm vdekjet spitalore të pacientëve me COVID-19;

në shtatë muaj pandemi nuk ka pasur raportime për vdekje në kushte shtëpie të personave me COVID-19;

numri i përgjithshëm i rasteve totale me COVID-19 nuk rezulton të jetë i saktë;

të paktën 12 raste me pacientë të infektuar nga COVID-19 (bashkë me vetëvrasjen e dy pacientëve në spital), vdekjet e të cilëve nuk u shkaktuan nga COVID-19, nuk figurojnë në rastet e përgjithshme, çështje për të cilën Euronews Albania ka kërkuar shpjegime, por nuk ka marrë përgjigje nga autoritetet.