Tre pikë dhe rekord për Shqipërinë, por sa vuajtje kundër modestëve nga Andorra (VIDEO)

Me një rotacion të gjerë si pasojë e mungesave të shumta prej pezullimeve apo dëmtimeve, Shqipëria ia ka dalë të marrë një trepikësh shumë të vuajtur ndaj Andorrës në shtëpi me rezultatin 1-0. Kuqezinjtë e trajnerit Edy Reja e nisën ndeshjen me vrull teksa Odise Roshi ishte mjaft aktiv në krahun e djathtë duke ofruar harkime të shumta në zonë, por që për asnjë moment nuk u shfrytëzuan.May be an image of 3 people and people playing sports

Por, rastin e parë të rrezikshëm e krijuan miqtë me Ramadanin që humbi topin pranë zonës së tij. Gjithsesi, Strakosha mendoi të largonte rrezikun ndërsa kombëtarja u kundërpërgjigj me anë të një kundërsulmi ku Laçi nuk arrin të kombinohet me Seferin. Ndërkohë, në fundin e pjesës së parë, kuqezinjtë shpërdorojnë sërish me Laçin dhe Uzunin që ndalen nga portieri i Andorrës, ndërsa nga ana tjetër Roshi u ndal vetëm nga shtylla.

May be an image of 3 people and people playing sports

Ndërkaq, sa i takon fraksionit të dytë, Reja aktivizoi edhe Muçin me Bajramin duke e bërë ekipin më ofensiv dhe në fakt mesfushori i Empolit, ishte protagonist duke krijuar raste, por edhe duke shpërdoruar një të tillë nga fare pranë portës. Gjithsesi, kuqezinjtë u shpërblyen në minutën e 72 kur Uzuni fiton një 11-metërsh dhe një minutë më pas nga pika e bardhë Endri Çekiçi ndëshkon miqtë.

Në vazhdim, sërish Bajrami e pati një mundësi të mirë por u tregua egoist duke mos pasuar për Muçin apo Roshin që ishin të lirë. Kështu, rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe kuqezinjtë morën një fitore të vlefshme duke ruajtur vendin e tretë në grupin I teksa renditen pas Anglisë dhe Polonisë e lënë mbrapa Hungarinë, Andorrën e San Marinon. Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se me 18 pikë të grumbulluara, Shqipëria arrin një rekord pasi kurrë më parë në një fushatë eliminatore nuk kishte mbledhur kaq pikë.