Tregu celular më i ekuilibruar, ONE i afrohet Vodafone

Tregu i komunikimeve celulare në vend po jep sinjale konkurrueshmërie në rritje. Kjo konfirmohet edhe në dinamikën e pjesëve të tregut.

Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), pjesa e tregut e operatorit më të madh, e matur sipas numrit të përdoruesve aktivë këtë vit ka rënë ndjeshëm.

Në fund të tremujorit të tretë të vitit, Vodafone Albania zotëronte rreth 43% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë, nga 47% që mbante në fund të vitit 2020 dhe rreth 48% që zotëronte në fund të vitit 2019. Rënia e pjesë së tregut të Vodafone ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së ndjeshme të pjesës së tregut të operatorit të dytë më të madh, ONE Telecommunications. Në fund të shtatorit 2021, ONE kishte pothuajse 1.1 milionë përdorues aktivë ose rreth 41% të totalit. Pjesa e tregut e ONE është rritur ndjeshëm nga niveli prej 37% i fundit të vitit të kaluar. Ndërkohë, operatori i tretë, Albtelecom, në fund të shtatorit kishte një pjesë tregu të qëndrueshme në nivelin 16%, po aq sa në fund të vitit të kaluar.

Treguesi kryesor që mat shkallën e përqendrimit të tregut, indeksi HHI (matet si shuma e pjesëve të tregut të ngritur në fuqi të dytë të secilit operator), në fund të tremujorit të tretë ra në 3786, nga 3834 që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Për tremujorin e tretë, numri i përdoruesve përdoruesit aktivë të telefonisë celulare arriti 2.66 milionë, në rritje me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për këtë vit, xhiroja dhe treguesit e tjerë financiarë nuk janë ende të disponueshëm. Megjithatë, për vitin e kaluar indeksi HHI i përqendrimit të tregut, i matur sipas të ardhurave totale nga komunikimet elektronike, ra në 4129, nga 4149 që kishte qenë një vit më parë. Shkalla e përqendrimit të tregut të telefonisë celulare ra për herë të parë që pas daljes nga tregu të operatorit të katërt, Plus Communication.

Ndryshimi i pronësisë mbi kompaninë ONE dy vjet më parë duket se i ka dhënë një gjallërim konkurrencës në tregun celular. Megjithatë, AKEP ka shprehur shqetësimin se konkurrenca po shoqërohet edhe me praktika të çmimeve grabitqare, që mund të dëmtojnë sidomos operatorët më të vegjël dhe në tërësi aftësinë e tregut për të siguruar fitime të mjaftueshme për të mbështetur investime të reja në të ardhmen. Sipas të dhënave nga AKEP, rezultati i përbashkët i tre operatorëve celularë për vitin e kaluar ishte negativ në vlerën e rreth 235 milionë lekëve, në përkeqësim të dukshëm nga viti 2019, kur rezultati agregat kishte qenë pozitiv për më shumë se 1 miliardë lekë. Përcaktuese në këtë përkeqësim ka qenë tkurrja e ndjeshme e rezultatit të kompanisë Vodafone Albania, që raportoi një fitim prej vetëm 120 milionë lekësh, ndërsa në vitin 2019 kishte arritur fitim për rreth 1.4 miliardë lekë. Ndikim negativ dha edhe rezultati i Albtelecom, që thelloi humbjet për të dytin vit radhazi. Sipas AKEP, Albtelecom humbi rreth 1.18 miliardë lekë, nga 645 milionë lekë që kishte qenë humbja e vitit të mëparshëm.

I vetmi operator që për vitin e kaluar arriti të përmirësonte rezultatin e vet financiar ishte ONE, që raportoi një fitim në vlerën e 820 milionë lekëve, nga 285 milionë lekë fitim që kishte arritur për vitin 2019.