Trump-Biden ndezin fushatën

Pak ditë para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në SHBA...

Presidenti Donald Trump ka kryer një blitz elektoral në tre shtete pasi votoi më herët në Florida.

Ai u ndal në tubime në Karolinën e Veriut, në Ohajo dhe Uiskonsin të shtunën ndërsa përpiqej të fitonte terren ndaj sfidantit demokrat Joe Biden. Ky i fundit, vazhdon të kryesojë në sondazhet kombëtare ndërkohë që u ndal të bënte fushatë në Pensilvani, një tjetër shtet kyç në betejën elektorale. Rreth 57 milionë zgjedhës ndërkohë e kanë hedhur deri më tani votën e tyre, një rekord ky i shkaktuar nga pandemia.

Presidenti Republikan ka vazhduar të marrë pjesë në tubime të mbushura me njerëz pavarësisht një rritjeje të infeksioneve që po prek veçanërisht pjesën qendrore të SHBA ku edhe ndodhen disa shtete që konsiderohen fushëbeteje që mund të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve.

Temë kryesore në tubime mbetet pandemia dhe Trump tha në Karolinën e veriut se SHBA ka bërë një punë të mirë ndërkohë që kritikoi rivalin e tij demokrat që ka lëshuar paralajmërime të zymta për një dimër të vështirë.

Ndryshe nga ai, Biden mbajti një tubim mbi makina në Bristol të Pensilvanisë, ku ai i tha mbështetësve se nuk do të donte që ata të bëheshin super shpërndarës të virusit. Ndërkohë, shefi i stafit të zëvendëspresidentit mike Pence ka rezultuar pozitiv për covid 19 por vetë zëvendëspresidenti dhe bashkëshortja e tij kanë rezultuar negativë.

Ata planifikojnë të vazhdojnë me agjendën e tyre të fushatës, pavarësisht se pence ka qenë në kontakt të ngushtë me një person të infektuar. Me vetëm 10 ditë që kanë mbetur deri në zgjedhjet e 3 nëntorit, Joe Biden, ka një avantazh prej tetë pikësh në shkallë kombëtare kundrejt Donald Trump.