Presidenti i Francës dhe ai i SHBA-ve, Emmanuel Macron dhe Donald Trump kanë thënë se Arabia Saudite duhet të japë më shumë informacione lidhur me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediat franceze raportojnë se dy liderët konsiderojnë se duhet ndriçuar plotësisht ky rast, pa lënë asnjë dyshim.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha sot se vrasësi i gazetarit saudit Jamal Khashoggi është midis 15 dhe 18 personave të arrestuar nga autoritetet saudite pas vrasjes dhe se vrasësi nuk duhet kërkuar diku tjetër.
Erdoğan sot nga Ankaraja udhëtoi për në Paris, ku me ftesë të presidentit francez Macron, do të marrë pjesë në ceremoninë dedikuar shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Parisi do të presë nesër më shumë se 70 krerë të shteteve dhe qeverive nga e gjithë bota.



