Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pretendoi sot se forcat amerikane mund ta “asgjësojnë” gjithë shtetin e Iranit brenda vetëm një nate, raporton Anadolu.
“I gjithë vendi mund të asgjësohet brenda një nate, dhe ajo natë mund të jetë nata e nesërme”, u tha Trump gazetarëve.
Ai gjithashtu riafirmoi afatin për Iranin, duke paralajmëruar se deri të martën në orën 20:00 sipas kohës në SHBA, çdo urë dhe central elektrik në Iran do të “shkatërrohet” nëse nuk do të arrihej një marrëveshje.
Presidenti shtoi se tani Washingtoni po negocion me një “pjesëmarrës aktiv dhe të gatshëm” nga ana iraniane që vepron “me sinqeritet”. Disa “vende të jashtëzakonshme” po ndihmojnë për t’i dhënë fund konfliktit, shtoi ai.
– Misionet e shpëtimit
Trump tha se një mision i dytë shpëtimi për një ushtarak amerikan të zhdukur përfshiu 155 avionë, përfshirë katër bombardues, 64 avionë luftarakë dhe 48 avionë furnizimi me karburant në ajër.
Ai kishte deklaruar më parë se rreth 200 pjesëtarë të forcave speciale ndihmuan në operacionin e nxjerrjes.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, tha se agjencia kreu një “fushatë mashtrimi për të hutuar iranianët” ndërsa përdori burime të klasifikuara për të gjetur pilotin në një shpat malor të largët.
Trump e përshkroi shpëtimin si një bast me rrezik të lartë, duke thënë se e autorizoi atë duke ditur se mund të kishte shkaktuar viktima masive.
Dy aeroplanë të mëdhenj u dërguan për të nxjerrë ekuipazhin e bllokuar në rërë të lagur, duke rritur frikën se nuk do të mund të ngriheshin nën peshën e personelit dhe pajisjeve. Për të parandaluar kapjen e teknologjisë ushtarake amerikane nga Irani, Trump tha se aeroplanët u shkatërruan në tokë.
Trump tha se gjatë 37 ditëve të fundit, forcat amerikane kanë kryer më shumë se 10.000 fluturime luftarake mbi Iran, duke goditur më shumë se 13.000 objekte. Ai gjithashtu tha se F-15 që u rrëzua ishte aeroplani i parë me pilot i humbur nga zjarri armiqësor gjatë operacionit.
– Rrjedhja e informacioneve në media
Ai gjithashtu tha se administrata e tij po kërkon “shumë seriozisht” informatorin që ka nxjerrë informacione mbi pilotin e parë të shpëtuar nga Irani javën e kaluar pasi avioni i tij u rrëzua.
Trump akuzoi një medium të paemër për rrezikimin e shpëtimit të dytë duke shpërndarë informacionin se një pilot ishte ende i humbur brenda Iranit, duke shkaktuar një ndjekje kombëtare nga iranianët dhe shpërblim publik për kapjen e tij.
Presidenti i SHBA-së kërcënoi të ndjekë gazetarët përgjegjës, duke thënë se media do të detyrohet të identifikojë burimin për arsye sigurie kombëtare.
Ai gjithashtu tha se preferon që SHBA-ja të vendosë “tarifa kalimi” në Gjirin e Hormuzit në vend që ta lejojë Iranin ta bëjë këtë. Trump sugjeroi se Irani është “ushtarakisht i mundur” dhe se SHBA-ja, si fituese, ka ndërmend të vendosë tarifa në Gjirin e Hormuzit.
“Pse jo? Ne kemi fituar. Kemi fituar”, tha ai.
– Roli i NATO-s
Trump shprehu gjithashtu frustrimin për rolin e NATO-s në konflikt. Ai tha se refuzimi i aleancës për të ndihmuar në sigurimin e Gjirit të Hormuzit është “një njollë në NATO që kurrë nuk do të zhduket”. Trump shtoi se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka frikë nga NATO, por nga SHBA-ja, duke thënë: “NATO jemi ne”.
Ai gjithashtu kritikoi Japoninë, Australinë dhe Korenë e Jugut, së bashku me NATO-n, për mosofrimin e ndihmës në fushatën kundër Iranit.
Shtetet anëtare të NATO-s kanë theksuar se Trump e filloi luftën pa konsultuar asnjë nga anëtarët e aleancës.
Trump gjithashtu këshilloi forcat kurde të “qëndrojnë larg” Iranit ndërsa ushtria përgatitet për një përshkallëzim të madh, duke thënë se ato “sjellin disa probleme” dhe mund “të sjellin vdekjen për veten”.
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se e hëna do të shënojë “vëllimin më të madh të sulmeve në Iran që nga dita e parë”, duke shtuar se ushtria do të ndërmarrë “edhe më shumë” të martën.
Komanda Qendore e SHBA-së (CENTCOM), përgjegjës për operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, konfirmoi se dy anëtarë të forcave u shpëtuan pas rrëzimit të avionit F-15E më 2 prill.
Që nga 28 shkurti, sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iran kanë vrarë më shumë se 1.340 persona, përfshirë atëherë udhëheqësin suprem Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa duke synuar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane. Irani gjithashtu ka kufizuar lëvizjen e anijeve përmes Gjirit të Hormuzit.


