“Trump riafirmon tërheqjen dhe një zonë të sigurtë në Siri”

President i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan: Turqia po ashtu është edhe shteti i vëllezërve tanë kurdë. U bëj thirrje vëllezërve kurdë, mos u mashtroni

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se këtë javë në një telefonatë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, riafirmoi tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, si dhe një zonë të sigurtë prej 32 kilometrash në Siri, që do të krijohej nga Turqia, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan komentet i bëri në një fjalim para ligjvënësve të partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Parlament në kryeqytetin, Ankara.

Dje, Erdoğan realizoi një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, ku diskutoi idenë e një zonë të sigurtë pa terror në Sirinë veriore.

Erdoğan bëri të ditur se i ka thënë Trump-it se Turqia i përqafon të gjithë njerëzit në Siri pa asnjë diskriminim.

“Ne po ashtu i treguam atij se PKK/YPG torturon grupet në Siri që nuk varen prej tyre. Ne po ashtu i thamë se ne i kemi dhënë këshilltarëve të tij të gjitha dokumentet për këtë çështje”, tha Erdoğan.

Presidenti turk theksoi se Turqia i ka dhënë një goditje të rëndë PKK/YPG-së terroriste në Afrin të Sirisë dhe së shpejti do të lëvizë për të eliminuar grupet terroriste në lindje të lumit Eufrat.

Ai po ashtu u bëri thirrje kurdëve të mos mashtrohen nga grupet terroriste, duke shtuar se, “U bëj thirrje vëllezërve të mi kurdë, që të mos mashtrohen nga kjo lojë… Turqia është edhe vendi i vëllezërve të mi kurdë”.

Thirrja telefonike midis udhëheqësve të të dy vendeve erdhi pasi Trump kërcënoi se do të “shkatërronte Turqinë ekonomikisht nëse shënjestrojnë kurdët”, duke i bashkuar “kurdët” me PKK/YPG-në terroriste, një konflantim që Turqia ka kritikuar në mënyrë të përsëritur.

Pas paralajmërimit të papritur të muajit dhjetor të vitit të kaluar se forcat amerikane do të tërhiqen nga Siria, zyrtarët e SHBA-ve thanë se tërheqja ishte e kushtëzuar për Turqinë që të mos sulmonte “kurdët”, duke iu referuar PKK/YPG-së terroriste.

Zyrtarët turq kundërshtuan identifikimin e “kurdëve” me grupin terrorist, duke thënë se një operacion i pritur turk në Siri do të shënjestrojë një grup terrorist që kërcënon arabët, turkmenët dhe kurdët në Siri.

Në fushatën e saj terroriste 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK ka marrë jetën e 40 mijë personave. PKK/PYD/YPG është dega e saj siriane.