Türkiye e gatshme të rrisë në 500 milionë dollarë vëllimin e tregtisë me Malin

Kreu i Këshillit të Biznesit Financiar i Bordit të Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike (DEIK) i Türkiye-s (Turqisë), Fatih Altunbaş tha se vendi është i gatshëm të rrisë në 500 milionë dollarë vëllimin e tregtisë me Malin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Altunbaş dhe delegacioni që e shoqëron, u prit në pallatin presidencial nga presidenti i procesit të tranzicionit, Assimi Goita.

Në fjalimin e tij në takim, Altunbaş vuri në dukje se marrëdhëniet tregtare mes Malit dhe Türkiye-s do të zhvillohen dhe se importet dhe eksportet të cilat 5 vite më parë ishin 20 milionë dollarë mes dy vendeve, këtë vit kanë arritur në 141 milionë dollarë.

“Këtë shifër dëshirojmë ta rrisim në 200 milionë dollarë brenda një viti”, tha Altunbaş duke nënvizuar se Türkiye është e gatshme të rrisë në 500 milionë dollarë vëllimin e tregtisë me Malin në vitet e ardhshme.

Ai shtoi se Türkiye mund të plotësojë nevojën në të gjitha tregjet që Mali ka nevojë.

Presidenti Goita shprehu kënaqësinë për vizitën dhe kërkoi nga delegacioni që t‘i përcjellë presidentit Recep Tayyip Erdoğan përshëndetjet e tij.

Delegacioni i DEIK i cili ndodhet në vend në kuadër të Forumit të Biznesit DEIK Türkiye-Mali, më parë u takua edhe me kryeministrin Choguel Maiga, ministrin e Mbrojtjes Sadio Camara dhe ministrin e Industrisë dhe Tregtisë, Ould Mohamed.