Turqi, 107 nga 112 zjarre pyjore nën kontroll

Njëqind e shtatë nga 112 zjarret pyjore në Turqi janë nën kontroll, tha ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë i vendit, Bekir Pakdemirli, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kemi vënë nën kontroll 107 nga 112 zjarret pyjore që shpërthyen midis 28 korrikut dhe 1 gushtit 2021. Përpjekjet tona për të vënë nën kontroll pesë zjarre vazhdojnë pa ndërprerje”, shkroi ministri Pakdemirli në Twitter.

Ai tha se dy zjarre janë duke vazhduar në Antalya dhe tre në Muğla.

Ndryshe, zjarret filluan të mërkurën me shumicën në rajonet jugore. Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën.

Rreth 271 persona të tjerë janë prekur nga zjarret, sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka thënë se 50 milionë lira turke (5,91 milionë dollarë) janë lëshuar për të plotësuar nevojat urgjente në zonat që kanë përjetuar shkatërrime dhe dëme materiale.

Ai tha se Turqia po mobilizon të gjitha mjetet për të vënë nën kontroll flakët.