Turqi, arrestohet diplomati amerikan nën dyshimet për shitje të një pasaporte të falsifikuar

Zyrtarë të policisë së Stambollit njoftuan se autoritetet arrestuan muajin e kaluar një diplomat amerikan në Turqi nën dyshimet se i ka shitur një pasaportë të falsifikuar një shtetasi sirian.

Autoritetet e identifikuan diplomatin të mërkurën me inicialet, D.J.K. Zyrtarët thanë gjithashtu se dispononin pamje filmike të diplomatit duke i dorëzuar pasaportën një personi, që ata e përshkruajtën si të dyshimtë, në aeroportin e Stambollit.

Policia tha se diplomati, i cili punon në ambasadën amerikane në Bejrut, vazhdon të jetë në paraburgim që pas arrestimit të tij më 11 nëntor me 10,000 dollarë para të thata në dorë siç thanë ata. Ai u akuzua më vonë në lidhje me dyshimet për shitjen e dokumentit, tha agjencia turke shtetërore e lajmeve, Anadolu.

Agjencia turke e lajmeve raportoi se shtetasi sirian u arrestua dhe u mor në pyetje pasi u përpoq të fluturonte drejt Gjermanisë me pasaportën që ishte në emrin e D.J.K. Gazeta tha se siriani u lirua në pritje të procedurave të mundshme ndaj tij për falsifikim dokumentesh.

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka komentuar ende mbi këtë çështje.

Marrëdhëniet SHBA-Turqi janë tensionuar vitet e fundit, pjesërisht nga ndalimi i anëtarëve të personelit diplomatik amerikan nga Ankaraja, e cila i akuzon ata për lidhje me një rrjet që Turqia e fajëson për organizimin puçit të dështuar ushtarak të vitit 2016./ VOA