Turqi, burgim i përjetshëm për terroristen e PKK-së për planifikim të atentatit

Terroristja rrëfeu se ishte urdhëruar të kryente atentat ndaj ministrit të Brendshëm dhe atij të Mbrojtjes turke

Terroristja e PKK-së, e cila rrëfeu për planifikim të komplotit për të vrarë ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Brendshëm të Turqisë, është dënuar me burgim të përjetshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Sonay Bakar, e cila ndoqi gjyqin e zhvilluar në Gjykatën e 25-të Penale në Ankara përmes videolinkut nga burgu, u dënua me akuzat e prishjes së unitetit të shtetit dhe integritetit të vendit.

Dy të dyshuarit e tjerë, të identifikuar si Suleyman A. dhe Levent O, të cilët u akuzuan për ndihmë ndaj terroristes Bakar, u liruan nga të gjitha akuzat.

Bakar u ishte dorëzuar forcave të sigurisë dhe rrëfeu se ajo kishte marrë urdhër nga një udhëheqës i rangut të lartë të grupit terrorist për të vrarë ministrin e Mbrojtjes Hulusi Akar dhe ministrin e Brendshëm Süleyman Soylu.

Ajo deklaroi se së pari vizitoi Stambollin dhe më pas kryeqytetin Ankara për vëzhgim dhe se dy anëtarë të grupit terrorist e ndihmuan atë.

Më tej shtoi se ishte udhëzuar të kryente një sulm ndaj një njësie ushtarake në rast se nuk arrinte të vriste ministrat.

Në të kaluarën, prokurorët në Ankara kishin akuzuar Bakar-in për përgatitjen e bombave të cilat do të përdoreshin për të sulmuar njësitë ushtarake.

Gjyqi i tre të dyshuarve filloi më 26 mars 2020. Në një seancë dëgjimore të mbajtur më 23 qershor të vitit të kaluar, për Bakar u kërkua dënim i rëndë i përjetshëm dhe u kërkua burgim prej 15 vjetësh për dy të dyshuarit e tjerë nën akuzat e anëtarësimit në grupin e armatosur terrorist.