“Turqia do të vazhdojë me të gjitha mënyrat për të investuar për Shqipërinë”

"Turqia do të vazhdojë me të gjitha mënyrat për të investuar për Republikën e Shqipërisë. Ne si Republikë e Turqisë do të vazhdojmë t'u qëndrojmë pranë shqiptarëve, vëllezërve tanë", tha ministri turk, Bekir Pakdemirli...

Ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bekir Pakdemirli, gjatë vizitës në Shqipëri është takuar me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, raporton Anadolu Agency(AA).

Pas takimit mes delegacioneve, Pakdemirli dhe Ekonomi nënshkruan protokollin mbi “Marrëveshjen e grantit mbi përmbytjet dhe vërshimet e ujërave ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë”, që lidhet me ndihmën mbi përmbytjet.

Ministri Pakdemirli në deklaratën e përbashkët për mediat me homologen e tij theksoi se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Shqipërisë me të gjithë mundësitë që kanë si shtet.

“Ajo që nënshkruam është një paketë ndihme, një grant për Ministrinë e Bujqësisë të Republikës së Shqipërisë, kryesisht në fushat për t’u mbrojtur nga çdo rrezik natyror. Gjatë bashkëbisedimit që kishim me kolegen vunë re disa detaje, problematika apo tematika që janë të ngjashme në Shqipëri dhe Turqi. Do të vazhdojmë të qëndrojmë korrekt në atë që kemi nënshkruar të dyja palët, gjithmonë në shkëmbim të informacionit, të dijes dhe njëkohësisht do të qëndrojmë pranë me të gjithë mundësitë tona që kemi ne si shtet”, tha ministri turk.

Ai theksoi se çështjet që kanë diskutuar ka qenë për sektorin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve, si dhe bashkëpunimin mes universiteteve.

“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë aktiv me të gjitha format tona, me të gjitha mënyrat tona dhe sot një donacion i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do të jepet në Shkodër”, u shpreh më tej ministri Pakdemirli.

Duke përmendur edhe ndërtimin e banesave nga Turqia për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, ministri turk theksoi se, “Turqia do të vazhdojë me të gjitha mënyrat për të investuar për Republikën e Shqipërisë. Ne si Republikë e Turqisë do të vazhdojmë t’u qëndrojmë pranë shqiptarëve, vëllezërve tanë”.

Ministrja Ekonomi gjatë deklaratës për mediat, duke iu referuar takimit me homologun turk tha se kanë ndarë disa momente të rëndësishme që dëshmojnë sipas saj angazhimin e Qeverisë së Turqisë për mbështetjen ndaj Qeverisë së Shqipërisë dhe popullit shqiptar në shumë fusha.

“Sot jemi të fokusuar tek fusha e bujqësisë, sidomos në këtë moment. E çmojmë shumë dhurimin që po i bëni Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me pajisje që ndihmojnë për të përballuar situatën e prezencës së ujit në tokat bujqësore, duke ndihmuar kështu si ujitjen edhe kullimin e sipërfaqes së tokës bujqësore të punueshme”, u shpreh Ekonomi.

Ajo theksoi se bashkëpunimi mes dy vendeve është më i gjerë, duke shtuar se, “Bashkëpunimi ynë nuk qëndron vetëm këtu, bashkëpunimi ynë është më i gjerë se kaq sepse për ne është shumë e rëndësishme transferimi i dijeve, ekspertizës së bujqësisë turke për karshi ekspertizës së nevojshme në bujqësinë shqiptare”.

Ministri turk i Bujqësisë dhe Pylltarisë u takua edhe me kryeministrin Edi Rama, ndërkohë do të vizitojë edhe Qarkun e Shkodrës, ku Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) do të shpërndajë ndihma për fermerët në zonat e përmbytura në muajit e fundit.