Turqia ia shtrin dorën e ndihmës Libanit pas shpërthimit

Ankaraja do të dërgojë ndihmë mjekësore dhe humanitare, një ekip prej 20 mjekësh dhe 400 tonë grurë në Bejrut pas shpërthimit të së mrartës

Turqia ia ka zgjatur dorën e ndihmës Libanit pas shpërthimit vdekjeprurës në Portin e Bejrutit, i cili la të paktën 135 njerëz të vdekur dhe gati 5.000 të plagosur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha në Twitter se ai ka biseduar përmes telefonit me homologun e tij libanez Hamad Hassan dhe tha se Turqia do të dërgojë ndihmë mjekësore dhe humanitare në Liban nën koordinimin e Autoritetit të vendit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Koca gjithashtu nënvizoi se një ekip turk me 20 mjekë do të udhëtojë sot në Liban për trajtimin e të plagosurve.

Paralelisht me këtë, ministri i Kulturës dhe Turizmit, Mehmet Nuri Ersoy, tha në Twitter se Turqia “ndërmori veprime për të shëruar plagët e Libanit” me udhëzimet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan.

“Turqia i ka shtrirë një dorë ndihme Libanit, i cili humbi pjesën më të madhe të depove të grurit në shpërthimin në Bejrut. TIKA (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim) do të dorëzojë rreth 400 tonë grurë për autoritetet libaneze”, tha Ersoy.

Zyrtarët e TIKA-s pritet t’u dorëzojnë grurë zyrtarëve libanezë brenda disa ditësh.

Më herët, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hami Aksoy, tha në një deklaratë se Erdoğan ka urdhëruar të dërgohet një ekip kërkimi dhe shpëtimi dhe personel mjekësor të urgjencës në rajon përmes organeve të shëndetit dhe menaxhimit të fatkeqësive të Turqisë, si dhe Gjysmëhënës së Kuqe Turke.

Po ashtu, janë bërë plane për ndërtimin e një spitali në terren, si dhe ofrimin e ndihmës humanitare, përfshirë ilaçe dhe furnizime mjekësore.

Ndryshe, një zjarr në një depo që përmbante lëndë shpërthyese në Portin e Bejrutit çoi në një shpërthim masiv të martën, duke shkaktuar dëme masive materiale në disa lagje të kryeqytetit.

Shpërthimi u dëgjua në gjithë qytetin dhe periferitë e tij.

Sipas autoriteteve të vendit, të paktën 135 persona kanë humbur jetën deri më tani, 5.000 janë plagosur dhe dhjetëra mbeten të zhdukur. Ndërkaq, rreth 300.000 njerëz vlerësohet të kenë mbetur pa shtëpi.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes në Liban e ka shpallur Bejrutin qytet të goditur nga katastrofa dhe njoftoi gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytet për dy javë.

Shpërthimi i së martës thellon problemet e vendit që tashmë vuante me muaj nga një krizë e rëndë ekonomike dhe polarizimi politik.Turqia ia shtrin dorën e ndihmës Libanit pas shpërthimit