Turqia kërkon dënime të përjetshme për vrasjen e Khashoggit

Kryeprokurori i Stambollit paditi gjithsej 20 persona për vrasjen e rëndë me paramendim

Prokurorët turq sot kërkuan dënime të rënda të përjetshme për 18 të akuzuar në vrasjen e vitit 2018 të gazetarit saudit Jamal Khashoggi në konsullatën e Mbretërisë në Stamboll, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeprokurori i Stambollit paditi gjithsej 20 persona për vrasjen e rëndë me paramendim.

Dy të tjerë u akuzuan për “nxitje të vrasjes së shkallës së parë”.

Khashoggi, një kolumnist për “The Washington Post”, u vra dhe u shpërbë nga një grup operativësh saudit menjëherë pasi ai hyri në konsullatën e vendit në Stamboll më 2 tetor të vitit 2018.

Riadi ofroi pretendime të ndryshme, kontradiktore për të shpjeguar zhdukjen e tij para se të pranonte se ai ishte vrarë në ndërtesën diplomatike.

Trupi i Khashoggit nuk u gjet kurrë.