Ushtria turke ka “neutralizuar” 286 terroristë të YPG/PKK gjatë muajit të kaluar në operacionet e brendshme dhe ndërkufitare, bëri të ditur sot Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Autoritetet turke në përgjithësi përdorin fjalën “të neutralizuar” me çka nënkupton se terroristët në fjalë u dorëzuan, u vranë ose janë kapur.
Prej tyre, 155 terroristë u neutralizuan në veri të Sirisë, tha para gazetarëve në kryeqytetin Ankara, zëdhënësja e Ministrisë, Nadide Sebnem Aktop.
Ajo tha se 37 terroristë ishin duke u përpjekur të hynin në rajonin e operacionit “Mburoja e Eufratit” nga qyteti Manbixhi i Sirisë dhe shtatë të tjerë në rajonin e operacionit “Dega e Ullirit” nga Tal Rifat i Sirisë. Ata janë neutralizuar.
Turqia filloi tre operacione të suksesshme antiterroriste përtej kufirit të saj në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar zgjidhjen paqësore nga vendasit: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes (2019).
Operacioni i saj i fundit “Mburoja e Pranverës” po vazhdon në Idlib, me qëllim mbrojtjen e civilëve.
Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e radhitur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjës për vdekjen e 40,000 personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG është dega siriane e PKK-së.![]()

