Turqia nga e hëna ekstradon terroristët e DEASH-it në vendet e tyre të origjinës

"Ne i themi Evropës se do t’i kthejmë këto (terroristë të DEASH-it) te ju dhe nga e hëna do të fillojmë. Le të bëjnë çfarë të duan me ta", tha Soylu

Ministri i Punëve të Brendshme i Turqisë, Süleyman Soylu, ka bërë të ditur se nga 11 nëntori vendi i tij do të fillojë me ekstradimin në vendet e tyre të terroristëve të kapur të DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).

“PYD i liron terroristët e DEASH-it dhe ne i kapim ata”, tha Soylu në hapjen e një ceremonie në kryeqytetin Ankara.

“Ne i themi Evropës se do t’i kthejmë këto (terroristë të DEASH-it) te ju dhe nga e hëna do të fillojmë. Le të bëjnë çfarë të duan me ta”, tha Soylu, duke shtuar se ata janë shtetas të vendeve evropiane dhe jo të Turqisë.

Ankaraja i thotë Evropës se anëtarët e DEASH-it do t’i kthejë përsëri në vendet e tyre, por vendet evropiane refuzojnë këtë veprim duke theksuar se terroristët e DEASH-it ishin de-nacionalizuar.

“Ata (vendet evropiane) thonë, ‘ne e revokuam shtetësinë e tyre, kështu që ju mund të bëni çfarë të doni’ (me ta)”, theksoi Soylu.