7.5 C
Tiranë
E enjte, 9 Dhjetor, 2021

Turqia “plotësisht” hedh poshtë deklaratën e SHBA-së për presidentin Erdoğan

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë “plotësisht” ka hedhur poshtë deklaratën e Departamentit të Shtetit të SHBA-së që akuzon presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për antisemitizëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, ministria turke i bëri thirrje administratës së SHBA-së të bëjë përpjekje në ndaljen e sulmeve të pandërprera të Izraelit mbi civilët palestinezë, në vend të “akuzimit të rremë” të liderëve turq.

“Koncepti i antisemitizmit nuk duhet të përdoret për të mbuluar politikat izraelite të pastrimit etnik, fetar dhe kulturor”, theksoi ministria turke.

Dje, Departamenti i Shtetit të SHBA-së në një deklaratë dënoi, siç i quajti, “komentet e fundit antisemite të presidentit Erdoğan lidhur me popullin hebre”.

Të hënën, presidenti Erdoğan kritikoi Izraelin për sulme ndaj civilëve në Gaza dhe në xhaminë Al-Aksa. Ai po ashtu kritikoi shitjen e armëve nga SHBA-ja për Izraelin.

Duke e akuzuar Izraelin si një “shtet terrorist”, presidenti turk tha se po bombardon “pa mëshirë” civilët në Gaza.

Erdoğan po ashtu tha se ata që mbështesin veprimet e Izraelit në Kuds dhe Gaza do të shkruhen në histori si bashkëpunëtorë në vrasjen e fëmijëve dhe në krimet kundër njerëzimit.

Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, që nga 10 maji në sulmet ajrore izraelite ndaj Rripit të Gazës janë vrarë të paktën 221 palestinezë, përfshirë 63 fëmijë dhe 36 gra. Po ashtu të paktën 1.530 të tjerë janë plagosur.

Tensionet e fundit që filluan në Kudsin Lindor gjatë muajit të Ramazanit u përhapën në Gaza si pasojë e sulmeve izraelite ndaj besimtarëve muslimanë në xhaminë Al-Aksa dhe në lagjen Sheikh Jarrah.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku dhe ndodhet Al-Aksa, në vitin 1967 gjatë luftës arabo-izraelite. Ajo aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, në një veprim që kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Për tu Lexuar

Të Fundit

Lajme të Ngjashme