Turqia publikon një video ku shfaq fytyrën e vërtetë të PYD/YPG-së

Videoja e publikuar nga Drejtoria Turke e Komunikimeve tregon shtypjen me të cilën janë përballur 6 dëshmitarët e PYD/YPG-së

Drejtoria Turke e Komunikimeve ​​sot publikoi një video të kurdëve sirianë që rrëfyen shtypjen me të cilën u përballen derisa ishin në duart e grupit terrorist PYD/YPG në pjesën veriore të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Videoja prej 8 minutash zbulon rritjen e presionit, kërcënimit, burgosjes, rekrutimit të dhunshëm dhe vrasjet që populli kurd në Ayn al-Arab, i njohur gjithashtu si Kobane, kanë përjetuar që kur shpërtheu lufta civile në Siri në vitin 2011.

“Doktorë, avokatë, burokratë! 6 refugjatë kurdë në Turqi, të cilët vuanin nga shtypja e PYD-së dëshmuan udhëtimin e tyre tragjik nga Siria në Turqi”, shkroi drejtoria në Twitter, duke ndarë videon.

“Dëgjoni këta gjashtë dëshmitarë, të cilët e njohin nga afër fytyrën e vërtetë të grupit terrorist PYD/YPG”, shkroi në Twitter, drejtori i Komunikimit, Fahrettin Altun.

Gjashtë dëshmitarët në video, të cilët shpëtuan nga shtypja në vendin e tyre dhe u strehuan në provincën kufitare juglindore të Turqisë, Sanliurfa, thonë se grupi terrorist PYD/YPG nuk përfaqëson kurdët sirianë dhe ideologjia e tyre bazohet në Kandil, baza kryesore e terroritëve të PKK-së.

Sipas Turqisë, PKK dhe dega e saj, PYD/YPG paraqesin kërcënimin më të madh për të ardhmen e Sirisë, duke rrezikuar integritetin territorial dhe strukturën unitare të vendit.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja.

Derisa fliste për fytyrën e vërtetë të PYD/YPG-së, Redif Mustafa, një avokat nga qyteti verior i Sirisë Ayn al-Arab (Kobane), njëherësh themeluesi i Parlamentit Kombëtar Sirian tha se: “Ata ishin të afërt me PKK-në. Më dhanë një mesazh, duke thënë ‘nëse flet kështu, do të vdesësh'”.

“Ata vranë politikanë kurdë. Ata vranë vëllain tim”, tha Abdulaziz Temo, i cili ishte një menaxher i tregtisë së jashtme në Ministrinë e Financave në Damask, i cili kishte qëndrime të ngjashme me Redif.

“Qëllimi i tyre nuk ishte liria e kurdëve sirianë. Ata nuk i shërbenin popullit kurd sirian, synimi i tyre ishte ta bëjnë Kandilin më të fortë kundër Turqisë.

“Këta nuk janë kurdë sirianë, ata nuk përfaqësojnë aspak kurdët sirianë. Këto janë grupe terroriste. Ato përfaqësojnë ideologjinë e Kandilit”, theksoi Abdulaziz.

“Grupet e PKK/YPG-së janë partnerë komercial, duke fituar para nga gjaku kurd”, shtoi ai.

– 240 mijë fëmijë vdiqën

Mihdi Davud, një mjek nga Ayn al-Arab, tha se PYD/YPG madje kishte armatosur fëmijët me forcë.

Ai tha se “240 mijë fëmijë vdiqën. Kush ishin këta fëmijë? Fëmija im, fëmija juaj ose fëmija i dikuj tjetër”.

“Unë shkova atje, doja të ndihmoja njerëzit, duke shërbyer si mjek. Së pari, ata nuk më lejuan ta bëja këtë. Pastaj, shkova atje dhe punova fshehtas. Pas kësaj, ata burgosën babanë tim”, tha Mihdi.

“Bota mbylli njërin sy (për atë që po ndodh në Siri), ne duam që bota të shohë gjithçka”, shtoi ai.

Redif gjithashtu theksoi se askush nuk ka pyetur se çka me të vërtetë kërkojnë njerëzit në Kobane.

“Ne u kemi thënë Evropës dhe SHBA-së se (YPG) PKK ekziston në Siri dhe në të vërtetë sundon vendin”, theksoi Redif, duke pyetur: “Ne jemi disidentë. Pse nuk e dëgjon zërin tonë?”.

Rodi Mustafa, një tjetër dëshmitar në video, i cili iku për në Turqi për shkak të shtypjes, tha: “Na lejoni që ne, turkmenët, arabët, kurdët, të krishterët dhe asirianët të jetojmë së bashku në harmoni”.

“Shpresoj se të gjithë këta njerëz të mund të kthehen në vendin e tyre”, tha ai.

Avokati Mustafa Misto tha se “nuk e aprovojmë që PKK të vijë nga Kandili për të na qeverisur”.

Dëshmitarët vlerësuan përpjekjet e Turqisë për t’i mbrojtur ata.

“Populli turk na ndihmoi shumë. Disa prej tyre na strehuan”, tha Mustafa Muslim, një dëshmitar tjetër nga Kobane i shfaqur në video.

Ish-menaxheri i tregtisë Abdulaziz u pajtua duke thënë: “Në shtatë vitet e fundit, ne kurrë nuk jemi shtypur në Turqi. Përkundrazi, populli turk na ndihmoi shumë kur erdhëm këtu”, tha ai.

Duke e quajtur Turqinë një vend “vëllazëror” ai shtoi: “Ne nuk kemi ndonjë problem këtu, por ne jemi të gatshëm të kthehemi në vendin tonë sa më shpejtë të jetë e mundur”.

Lajme të ngjashme