Turqia shpëton 125 emigrantë të tjerë të shtyrë prapa nga Greqia

Turqia shpëtoi 125 emigrantë të paligjshëm në Detin Egje pasi ata u dëbuan nga autoritetet greke, njoftoi sot Komanda e Rojës Bregdetare Turke, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në faqen e saj në internet, Roja Bregdetare Turke tha se më 8 tetor dhe 11 tetor, forcat turke shpëtuan në total 70 persona të hipur në dy gomone pranë qarkut Seferihisar të provincës së Izmirit, të cilat u shtynë në ujërat territoriale turke nga autoritetet greke.

Nga ana tjetër, më 11 tetor, ekipet shpëtuan 30 emigrantë të tjerë të paligjshëm me ​​gomone pranë qarkut Dikili të Izmirit, të cilët u shtynë në ujërat territoriale turke nga Greqia.

Ata u transferuan në Zyrën provinciale të migracionit.

Ndërkohë, në provincën Mugla, Turqia shpëtoi në total 25 emigrantë të paligjshëm në Detin Egje pasi ata u dëbuan nga autoritetet greke, thuhet në deklaratën e veçantë të Komandës së Rojës Bregdetare Turke, duke shtuar se ekipet e shpëtimit mbërritën në rajon pas informacionit se një grup emigrantësh të parregullt po lundronin me një gomone pranë qarkut Bozburun.

Gjithsej 21 sirianë, tre palestinezë dhe një shtetas egjiptian, përfshirë gra dhe fëmijë, ishin në mesin e atyre që u shpëtuan.

Javën e kaluar, BE-ja shprehu shqetësime mbi shtyrjen e emigrantëve, duke thënë se incidente të tilla dëmtojnë reputacionin e bllokut.

“Disa nga këto raporte janë tronditëse dhe unë jam jashtëzakonisht e shqetësuar”, tha Ylva Johansson, komisionerja e BE-së për Punët e Brendshme, para gazetarëve në lidhje me një hetim të përbashkët nga mediat “Der Spiegel”, “ARD” dhe “Liberation”.

Hetimi zbuloi prova se autoritetet greke, kroate dhe rumune kanë shtyrë me dhunë azilkërkuesit që kalojnë kufijtë e jashtëm të bllokut.

Turqia ka është një pikë kryesore tranziti për emigrantët e parregullt që duan të kalojnë në Evropë për të filluar jetë të re, veçanërisht ata që ikin nga lufta dhe persekutimi.