Turqia synon rigjenerimin e prodhimit pas virusit

Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë i Turqisë, Mustafa Varank, tha se në dy javët e fundit janë parë shenja pozitive rreth normalizimit

Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë i Turqisë, Mustafa Varank, tha se prioriteti kryesor i Turqisë është që të sigurojë një rikuperim të përhershëm në frontin e prodhimit, pas shpërthimit të koronavirusit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu drejtuar një takimi virtual të organizuar nga Bordi i Marrëdhënieve të Jashtme Ekonomike, Varank tha se pritjet e sektorit real janë duke u përmirësuar, ndërsa në dy javët e fundit gjithashtu janë parë shenja pozitive rreth normalizimit.

“Konsumi i energjisë elektrike në zonat e organizuara industriale filloi të rritet në fillim të majit”, tha ai, duke shtuar se të gjitha fabrikat kryesore të automobilave janë duke funksionuar, ndërsa ka përmirësim të gjendjes edhe në industrinë e tekstilit.

Varank tha se industritë ushqimore, kimike, farmaceutike dhe të paketimit kanë dalë më të fuqishme.

“Shumë prodhues flasin për investime dhe mundësi të eksportit dhe ne po përqëndrohemi në hapat për të realizuar këtë potencial”, tha Varank.

– Thirrje kompanive në Turqi të investojnë në digjitalizim

Ministri u bëri thirrje kompanive në Turqi të investojnë në digjitalizim, në mënyrë që bizneset e tyre të jenë më rezistente ndaj fatkeqësive siç është pandemia e koronavirusit.

“Në këtë pikë, ne jemi duke punuar për të lehtësuar qasjen në teknologjitë digjitale dhe për të zgjeruar industrinë e mençur (smart industry), duke mbështetur kompanitë me stimuj dhe grante në transformimin e tyre digjital”, tha Varank.

Sipas tij, përveç sigurisë pas kalimit në “normalen e re”, zhvillimi i aftësive të prodhimit është gjithashtu jashtëzakonisht kritik.

“Përhapja e sëmundjes na kujton se sa e rëndësishme është vetë-mjaftueshmëria”, tha ai.

Varank tha se kur vendi plotëson kërkesat e tij për lëndë të parë dhe mallra të ndërmjetme nga burimet e brendshme, bëhet më rezistent ndaj goditjeve të jashtme.

Ai gjithashtu u shpreh se në ditët në vijim, mund të ketë një kalim nga rendi unipolar botëror në një rend botëror shumëpolar dhe se baraspeshat e fuqisë do të zhvendosen. “Pra, ne duhet të përqëndrohemi në marrjen e një pjese të madhe të kësaj ndarje”, theksoi ai.

Varank tha se Turqia gëzon avantazhe falë vendndodhjes së saj gjeografike, rrjeteve logjistike, zinxhirit të furnizimit, kapacitetit të reagimit emergjent dhe aftësisë për menaxhimin e krizave.

“Ne duam të përhapim në më shumë sektorë tjerë avantazhet që kemi në industrinë e mbrojtjes, automobilistike, tekstile, në aparatet për amvisëri” tha ai, duke theksuar se Turqia mund të jetë një nga qendrat kryesore të furnizimit rajonal në botë në epokën e re.