Turqia vazhdon bisedimet me SHBA-të dhe Rusinë mbi operacionin e Eufratit

Aktop tha se vendi i saj vazhdon të koordinohet me Rusinë lidhur me patrullimet e përbashkëta në qytetin Tal Rifaat të Sirisë

Zëdhënësja e Ministrisë turke të Mbrojtjes, Nadide Şebnem Aktop, ka deklaruar se Turqia vazhdon të zhvilloj takime dypalëshe dhe diskutime koordinuese të nivelit të lartë me SHBA-të dhe Rusinë, si pjesë e operacionit të pritur në lindje të lumit Eufrat në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktop tha se vendi i saj vazhdon të koordinohet me Rusinë lidhur me patrullimet e përbashkëta në qytetin Tal Rifaat të Sirisë.

Ajo tha se Turqia po ashtu vazhdon luftën e saj të brendshme ndërkufitare kundër organizatave terroriste, duke përfshirë FETO/PDY-në, PKK/KCK/YPG-në dhe DEASH-in, të cilat po kërcënojnë paqen dhe sigurinë e vendit.

“Në kuadër të kësaj kornize, gjithsej 54 terroristë janë neutralizuar, përfshirë një në kategorinë gri të listës së të kërkuarve të Ministrisë së Brendshme, gjatë operacioneve të cilat janë kryer me vendosmëri, si brenda Turqisë dhe në Irakun e veriut”, tha Aktop.

Aktop tha se Turqia shkatërroi 204 depo të municioneve dhe strehimoreve të përdorura nga terroristët, si dhe konfiskoi 28 armë, 4 armë të rënda, municione, 55 granata dore dhe 44 pajisje të improvizuara shpërthyese, si dhe 5 tonë drogë.

Duke rikujtuar Marrëveshjen e Soçit, të nënshkruar midis Turqisë dhe Rusisë më 17 shtator të vitit 2018 për të stabilizuar zonën e de-eskalimit në provincën siriane Idlib, Aktop tha se Turqia po punon me sukses në zbatimin e marrëveshjes në koordinim me Rusinë.

“Falë përpjekjeve të bëra, një fluks i mundshëm refugjatësh është parandaluar”, shtoi Aktop.

FETO dhe udhëheqësi i saj në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grusht shtetin e dështuar të 15 korrikut të vitit 2016 në Turqi, i cili la të martirizuar 251 persona dhe rreth 2.200 të tjerë të plagosur.

Ankara po ashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin nëpërmjet ifiltrimit të institucioneve turke, veçanërisht të ushtrisë, policisë dhe gjyqësorit.