U arratis apo iku për arsye shëndetësore? Policia nuk pret, Llalla do shpallet në kërkim ndërkombëtar!

Adriatik Llalla kur ishte në detyrë si kryeprokuror i përgjithshëm lajmëronte shpesh se shtatorin që do vinte do bënte arrestime në nivele të larta.

Arrestime të tilla nuk i bëri kurrë dhe për fatin e tij të keq, ai mund të arrestohet këtë shtator, pasi gjykata e posaçme la në fuqi vendimin për dënimin e tij me dy vite burgim. Pas vendimit SPAK i kërkoi policisë arrestimin e tij dhe në mbrëmje ata zbarkuan në shtëpinë e tij por pa e gjetur.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha tha se teksa, ende nuk është konfirmuar nëse është arratisur apo është larguar për shkaqe shëndetësore nga Shqipëria, burime i thonë Top Channel se Llalla nuk do shpallet vetëm në kërkim kombëtar, por me shumë mundësi pritet të shpallet edhe në kërkim ndërkombëtar, duke qenë se është konfirmuar nga sistemi TIMS, se ai është larguar jashtë Shqipërisë, por nuk dihet vendi final i tij.

Menjëherë pasi u firmos proceverbali dje pasi Llalla nuk u gjet në shtëpi, këto të dhëna i kaluan SPAK, por teksa ligji parashikon shpalljen në kërkim kombëtar, do duhet që për 3 muaj Llalla të kërkohet në vend, por fakti që TIMS tregon largimin e tij nga Shqipëria në 9 shtator, pritet që policia të t’i japë zgjidhje situatës, nëse do e zbatojë këtë kohë, apo do e shpallë menjëherë në kërkim ndërkombëtar.