Rreth një vit më parë Komuna Strugë ka dhënë një leje ndërtimi për ndërtimin e një kompleksi sportiv vetëm 50 metra larg bregut të liqenit, kompleks që nuk u ndërtua asnjëherë.
“Fiks Fare” dokumentoi se gjatë punimeve u devijua leja, ku nga kompleks sportiv u ndërtua një lokal dasmash. Institucionet janë në dijeni të ndryshimit të lejes së ndërtimit, por ngrenë “duart lart”, pasi janë të pafuqishëm të përballen me subjektin shkelës.
“Fiks Fare” udhëtoi drejt qytetit të Strugës, ku gazetarët iu drejtuan lokalit të dasmave, ku në të vërtet sipas lejes së ndërtimit duhet të ishte një kompleks sportiv.
Bashkëpunëtorët e Fiksit bëjnë biseda me punonjësit e lokalit madje prenotuan edhe një datë për dasmë. Parimisht ranë dakord me djalin e pronarit i cili në bisedë e sipër tregon se e kanë patur pak të vështirë të marrin lejen, madje më vonë po në këtë vend do mundohen të ngrenë edhe hotel.
“Neve kemi qef të bëjmë një hotel këtu ama tani këtu duhet leje për hotel. Ne kemi lejen e restorantit. Duhet leje për hotel po është shumë rënd për të marrë leje për hotel. Ma mbrapa ishalla po.” pohon ai në video.
Ai gjithashtu u shpjegon bashkëpunëtorëve të Fiksit se lokali është 800 metra katror dhe i prenotuar për gjithë sezonin veror.
Në këto kushte gazetarët iu drejtuan Komunës së Strugës. Kryekomunari Ramiz Merko e konfirmon se komuna që ai drejton ka dhënë leje për ndërtimin e një kompleksi sportiv, ndërkohë që është në dijeni që leja është devijuar për lokal dasmash. Por ai ia faturon kontrollin e lejeve që jep komuna Inspektoratit të Ndërtimit si përgjegjësi kryesor për kontrollimin e tyre.
Gazetarët iu drejtuan edhe Zyrës së Urbanistikës Strugë, ku drejtori Nadmir Nexhipi pohoi ndryshimin e lejes së ndërtimit, por nga inspektimi që ai vetë kishte bërë në terren subjekti nuk ishte lokal dasmash, por ka qenë i përgatitur për terren sportiv.
“Më vonë unë vetë nuk kam qenë por duke qenë qytet i vogël merret vesh dhe ai është kthyer në lokal dasmash” tha shefi i urbanistikës. Më pas ai pohon për Fiks Fare se zyra që ai drejton ka berë një procesverbal për ndryshimin e lejes së dhënë, duke ia adresuar Inspektoratit Shtetëror si i vetmi institucion që mund të ndërhyjë.
“Ne si sektor urbanistikë nuk mund të bëjmë asgjë tjetër më shumë pasi nuk është në kompetencat tona ” shprehet Nexhipi.
Ndërkohë deri sa institucionet të ndërgjegjësohen dhe të marrin masa, kompleksi sportiv ne letra në realitet do pres sezonin tjetër të dasmave.



