UÇK, dënime nga Haga/ Gjykata shpall fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn

Gjykata Speciale ka dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati u shpallën fajtorë për pengim të drejtësisë.

Dënimin Gucati dhe Haradinaj do ta vuajnë edhe për dy vjet të tjera meqë me vendim të trupit gjykues në Hagë në dënimin e tyre llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Nga OVL UÇK thonë se e pritën një vendim të tillë meqë nuk kanë besim në drejtësinë që mund të ofrojë Gjykata Speciale.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020 nga Prokuroria Speciale pas publikimit të dokumenteve konfidenciale që sipas tyre dikush nga Zyra e Prokurorit të Specializuar i la tek dera e OVL UÇK-së.