Kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed dhe presidenti i Eritreas, Isaias Afwerki, zyrtarisht kanë hapur një rrugë të re që lidhë dy kombet e Bririt të Afrikës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas zyrës së kryeministrit etiopian, të dy udhëheqësit hapën kufirin Oumajir-Humera në vijimin e normalizimit të marrëdhënieve etiopiano-eritreane.
Presidenti eritrean Afwerki dhe delegacioni i tij e mirëpritën kryeministrin etiopian Ahmed në qytetin eritrean Teseney, i cili ishte i shoqëruar nga administratorët kryesorë të shteteve rajonale Amhara dhe Tigray.
Mediat lokale raportuan se ky veprim pritet të nxisë marrëdhëniet midis popujve të të dy vendeve, si dhe tregtinë ndërkufitare në afat të gjatë.
Eritrea u nda nga Etiopia në vitin 1993, ndërsa nga viti 1998 deri në vitin 2000 këto dy vende zhvilluan një luftë të përgjakshme në të cilën nga të dyja anët humbën jetën rreth 70 mijë persona.
Të dy vendet thyen tensionet dy-dekadashe, pasi kryeministri etiopian, Abiy Ahmed, në prill të vitit 2018, në fjalimin e tij inaugurues zgjati një degë të ullirit për presidentin eritrean.
Të dy vendet hapën ambasadat e tyre përkatëse, ndërsa Eritrea lejoi Etiopinë të përdorë portet e Detit të Kuq.
Shtatorin e kaluar, të dy udhëheqësit njoftuan hapjen e kufijve duke mundësuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve që çoi në ribashkimin e familjeve të shumta.
Telekomunikacioni dhe fluturimet midis dy vendeve po ashtu janë kthyer pas dy dekadash.



