Unifikohet shoqata e bashkive/ Në shoqatën me 61 anëtarë përfaqësohet edhe Shkodra

Shoqata për Autonominë Vendore dhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë janë unifikuar me një vendim unanim të të gjithë kryetarëve të Bashkive të mbledhur këtë të martë nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas tij, nisma i hap rrugën prezantimit të përbashkët në një organizëm të 61 bashkive të vendit.

“Më në fund, kemi mbërritur në një ditë ku po sillemi si çdo vend tjetër europian. Kemi qenë të përçarë prej kohësh, ta pranojmë! Në fakt, shoqatat, përveç emrave formalë, kanë qenë një shoqatë e të majtëve dhe një e të djathtëve, por sot më vjen mirë që, për herë të pare, kemi edhe një përfaqësi nga Shkodra, të vetmen përfaqësi të zgjedhur, që është kryetarja e Këshillit”.

Sipas Veliajt, me unifikimin e sotëm, edhe vendimet do të jenë më të lehta.

“Ky unifikim vërtet është kthyer në një punë më të vështirë për kryetarin e njësisë vendore, ama vendimet merren më kollaj. Vendos një njeri dhe nuk kemi cic-mice mes bashkive kush bën një urë, dhe nga një anë e lumit është e majta nga ana tjetër e djathta, kurse ura nuk bëhej kurrë. Sot këto vendime merren dhe ecet përpara. Sot ishte vetëm një vendimmarrje politike unanime për të bërë këtë unifikim. Do të propozojmë që të caktojmë një grup pune të përbërë nga dy drejtorët tanë ekzekutivë dhe në një periudhë jo më të gjatë sesa 30 ditë, të kemi zgjidhje teknike të cilën pastaj do të duhet ta reflektojmë në gjykatë”.