Universiteti i Fondacionit Turk Maarif mbështetje për maturantët e Shqipërisë

Universiteti i New York Tirana (UNYT), që nga data 11 maj, ka nisur kurset falas për lëndët e maturës shtetërore, në lidhje me provimet e maturës, për të gjithë maturantët e Shqipërisë, duke iu ardhur atyre në ndihmë gjatë periudhës së pandemisë

Universiteti i New York Tirana (UNYT), pjesë e Fondacionit Turk Maarif, në kushtet e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) vazhdon mbështetjen për maturantët në Shqipëri, për të lehtësuar edhe ngarkesën psikologjike të tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).

Universiteti që nga data 11 maj, ka nisur kurset falas për lëndët e maturës shtetërore, në lidhje me provimet e maturës, për të gjithë maturantët e Shqipërisë, duke iu ardhur atyre në ndihmë gjatë periudhës së pandemisë, për shkak të së cilës nuk ndoqën mësimin dhe duke mos qenë pjesë e konsultimeve të ndryshme që ishin programuar.

Ndërkohë, 964 maturantë nga e gjithë Shqipëria janë bërë pjesë e këtyre konsultimeve, në të gjitha lëndët, sipas universitetit, “duke u dhënë një shans të gjithëve për të ndjekur ëndrrën e tyre, atë të një avokati, arkitekti, mjeku, inxhinieri dhe ekonomisti”.

UNYT iu bën thirrje maturantëve që t’iu bashkohen kurseve të maturës shtetërore, të cilat do të zhvillohen falas në platformën online, në lëndët matematikë, gjuhë dhe letërsi, qytetari-psikologji, anglisht, fizikë, ekonomi, sociologji-filozofi dhe biologji, ndërsa mund të regjistrohen në linkun https://unyt.edu.al/index.php/free-matura-courses/

“University of New York Tirana, Universiteti i parë privat në Shqipëri, i cili falë bashkëpunimit të tij me Empire State College (SUNY) në SHBA, u jep mundësinë të gjithë studentëve të jetojnë në Shqipëri dhe në përfundim të 4 viteve të studimit të pajisen me dy diploma, diplomën shqiptare dhe atë amerikane”, thuhet në njoftimin e universitetit.

Fondacioni Turk Maarif administron disa institucione arsimore në Shqipëri, si Universitetin New York Tirana , gjimnazet “New York High School” dhe “IMSA High School Elbasan”, shkollën 9-vjeçare “New York Basic Education” dhe kopshtin “IMSA Farm-Kindergarten”.