Universiteti i Fondacionit Turk “Maarif” në Tiranë organizon konferencë për sfidat në Ballkan mbi koronavirusin

Konferenca e parë ndërkombëtare në shkencat sociale me temë "Pasiguritë dhe sfidat në Ballkan: Rasti i COVID-19", organizuar nga Instituti i Kërkimeve Evropiane dhe Ballkanike, pjesë e Universitetit "New York Tirana" që administrohet nga Fondacioni Turk Maarif ka mbledhur së bashku studiues nga vendet e ndryshme.

Konferenca e parë ndërkombëtare në shkencat sociale me temë “Pasiguritë dhe sfidat në Ballkan: Rasti i COVID-19”, organizuar nga Instituti i Kërkimeve Evropiane dhe Ballkanike, pjesë e Universitetit “New York Tirana” që administrohet nga Fondacioni Turk Maarif ka mbledhur së bashku studiues nga vendet e ndryshme.

Në ceremoninë e hapjes së konferencës që u organizua online mbajtën fjalë përshëndetëse kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Birol Akgün, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe rektori i Universitetit të “New York Tirana”, Ismail Kocayusufoğlu.

Ambasadori Yörük gjatë fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së konferencës foli rreth suksesit të Turqisë në luftën kundër pandemisë së COVID-19, si dhe ndihmës mjekësore, që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe vendeve të ndryshme.

Ai tha se në një mënyrë apo në një tjetër, COVID-19 ka ndikuar në jetën e secilit në të gjithë botën. “Turqia ka qenë një nga të paktat vende që ka arritur një ekuilibër të drejtë midis lirisë personale, ekonomisë, jetës shoqërore dhe jetës publike. Ne ende mbajmë nën kontroll virusin nën udhëheqjen vizionare të presidentit tonë Erdoğan. Në situatën e pandemisë edhe aleatët më të afërt u kthyen kundër njëri-tjetrit për furnizimet mjekësore. Sidoqoftë, Turqia shkëlqeu përmes diplomacisë dhe dërgoi pajisje mjekësore në mbi 150 vende të botës duke përfshirë SHBA-në, disa shtete evropiane të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Spanja. Kjo dëshmon se Turqia është një partner i besueshëm në luftën kundër sfidave globale”, tha ambasadori turk.

Ambasadori Yörük theksoi më tej se “Gjatë këtyre kohërave të vështira, sigurisht që nuk i harruam vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri. Ne ishim në solidaritet të ngushtë me vëllezërit dhe motrat tona shqiptare. Ne dërguam furnizime mjekësore në Shqipëri menjëherë në fillim të pandemisë”.

Ai theksoi se angazhimi i Turqisë për Shqipërinë u konstatua qartë gjithashtu në nivelin më të lartë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjatë valës së parë të pandemisë, deklaroi se “Shqipëria nuk ka nevojë për një plan alternativ për sa kohë që Turqia qëndron pranë Shqipërisë”.

Kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Akgün, tha se që kur nisi pandemia, Universiteti “New York Tirana” ishte i pari që nisi mësimin online, sipas tij, duke iu gjendur pranë studentëve në çdo moment. “Fondacioni Maarif gjithmonë u është gjendur dhe do t’u gjendet pranë të gjithë nxënësve në shkollat tona në botë. Kush e mendonte që vjet çdo gjë do të ndryshonte, madje dhe vetë kuptimi i jetës. Kjo ka qenë gjithashtu një reflektim mbi jetët tona duke menduar se si mund ta përmirësojmë këtë botë. Kjo arrihet me anë të bashkëpunimit, dijës, kërkimit shkencor dhe përgjegjësisë. Përgjegjësia jonë si fondacion është që në botë të rrisim njerëz me vlera, që të duan mjedisin dhe të ndihmojnë njerëzit në nevojë”, theksoi Akgün.

Rektori i Universitetit “New York Tirana”, Ismail Kocayusufoğlu, gjatë fjalës së tij duke e konsideruar konferencën si të rëndësishme, tha se edukimi, pavarësisht çdo vështirësie, “është ai që na mban gjithmonë të bashkuar.”

“Ne të gjithë jemi pjesë e kësaj situate të vështirë, por ajo që ne mundemitë përçojmë të gjithë së bashku me njeri-tjetrin është drita e dijes, ajo që me fuqinë e saj na bashkon të gjithëve. Falë këtij eventi, ne tashme jemi të gjithë të lidhur me njeri-tjetrin nga perspektiva akademike për të diskutuar me njeri-tjetrin për të ardhmen tonë”, tha rektori Kocayusufoğlu.

Studiuesit pjesëmarrës ishin nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Turqia, Greqia, Bosnje dhe Hercegovina, Malta, Sllovenia, Bullgaria, Italia, Belgjika, Franca, Luksemburgu, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konferenca njëditore synonte të ofronte një platformë debati shkencor për pjesëmarrjen e ekspertëve nga të gjitha fushat e kërkimit që lidhen me ekonominë, biznesin, shkencat politike, arsimin, psikologjinë, drejtësinë, të drejtat e njeriut dhe çështje të tjera.