Varfëri ekstreme, qytetarët në Afganistan detyrohen të shesin organet

Teksa Afganistani është në prag të një katastrofe humanitare, shumë njerëz të varfër po marrin vendime të dëshpëruara, me disa që po shesin organet e tyre, në mënyrë që të ushqejnë familjet.

Varfëria ka qenë gjithmonë një fenomen shqetësues në Afganistan por gjendja është përkeqësuar ndjeshëm që kur forcat e NATO-s u larguan në gusht të vitit që shkoi dhe talebanët morën pushtetin, çka solli edhe ndërprerjen e ndihmave humanitare.

Tanimë njerëzit janë duke shitur organet vetëm për të ushqyer familjet e tyre. Po, shitja e veshkave ka pasoja të rënda për shëndetin.

“Shumica e njerëzve që shesin veshkat për shkak të problemeve financiare do të përballen me probleme afatgjata shëndetësore për shkak të mungesës së një veshke. Kultura e dhurimit të veshkës në Afganistan nuk është e përhapur. Shumica e njerëzve që dhurojnë veshkën janë vullnetarë me problem ekonomike që shesin këtë organ njerëzve të tjerë”, u shpreh Ahmad Shekaib, mjek i përgjithshëm.

Varfëria ka prekur çdo shtetas afgan, jo vetëm banorët e zonave rurale. 40-vjeçari Gulan Hazrat së fundmi shiti një prej veshkave të tij. Doktori i tij i këshilloi një vit pushim për të rikuperuar.

Këtë javë Kombet e Bashkuara apeluan komunitetin Ndërkombëtar që të gjenerojnë 5 miliardë dollar në mënyrë që të ndihmojnë Afganistanin dhe të evitojnë një katastrofe humanitare.