Varianti Omicron detyroi vendet e Evropës të marrin masa të reja

Gjenevë

Përhapja e shpejtë e variantit Omicron të koronavirusit të ri (COVID-19) në vendet evropiane, i detyroi qeveritë të marrin masa të reja, veçanërisht vendimi për aplikimin e dozës përforcuese të vaksinës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), varianti Omicron përhapet “në një masë që nuk është vërejtur më parë në asnjë variant” dhe së shpejti do të bëhet varianti dominues duke zëvendësuar variantin Delta.

Në një deklaratë nga organizata, u njoftua se kanë “mbetur vetëm javë” që varianti Omicron të “bëhet dominues” dhe se përpjekjet e qeverive dhe organizatave të tjera duhet të rriten “dy, tre dhe katër” herë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se varianti Omicron është konfirmuar në 77 vende në botë, por që kjo shifër është më e lartë.

Ghebreyesus megjithatë reagoi që disa vende me shfaqjen e variantit Omicron kanë filluar dozën përforcuese për të gjithë popullatën e rritur.

Nuk ka prova për efektivitetin e dozës përforcuese kundër këtij varianti, nënvizoi Ghebreyesus, duke u shprehur se kanë shqetësim se programe të tilla rrisin pabarazinë e vaksinave.

Pavarësisht paralajmërimeve të bëra nga OBSH-ja, shumë vende në Evropë, përfshirë Zvicrën, Gjermaninë, Britaninë, Danimarkën, Holandën dhe Belgjikën, kanë vendosur të fillojnë me dozën përforcuese.

Përhapja e shpejtë e variantit Omicron detyroi shumë vende në Evropë që të marrin masa të reja dhe vështirësoi hyrjet dhe daljet në vende.

Zvicra

Zvicra vendosi kufizime të reja pas shfaqjes së variantit Omicron të koronavirusit.

Sipas kufizimeve, të gjithë personat e vaksinuar dhe të pavaksinuar që hyjnë në vend janë të detyruar të plotësojnë formularin e hyrjes dhe të bëjnë testin.

Gjithashtu, të gjithë personat e vaksinuar dhe të pavaksinuar pas hyrjes në Zvicër janë të detyruar të kryejnë testin nga dita e katërt deri në ditën e shtatë dhe të informojnë autoritetet e kantoneve ku ndodhen për rezultatin e testit.

Swissmedic, i cili rregullon legjislacionin në fushën e trajtimit dhe shëndetit në Zvicër, ka miratuar dozën përforcuese të vaksinës anti-COVID-19 për personat mbi 16 vjeç.

Numri i rasteve në vend, i cili javën e kaluar ishte rreth 10 mijë, këtë javë ka rënë në rreth 5 mijë dhe 2,5 për qind e tyre është përcaktuar se janë me variantin Omicron.

Gjermania

Gjermania po përpiqet të parandalojë variantin Omicron me vaksinën përforcuese. Deri në fund të vitit në vend pritet që të administrohen 30 milionë doza të tilla.

Për të parandaluar variantin Omicron, në vendet ku mblidhen njerëzit zbatohet rregulli 2g (i vaksinuar ose i shëruar) ose 2g plus (i vaksinuar ose test shtesë nëse është shëruar).

Për të inkurajuar dozën përforcuese, në shumë rajone nuk kërkohet rezultati negativ i testit të COVID-19 tek personat e vaksinuar me dozën e tretë. Kur rastet shtohen, rajonet kanë mundësinë të marrin masa më të ashpra.

Numri i rasteve me Omicron në Gjermani është rreth 80.

Britania

Parlamentin në Britani, në kuadrin e luftës kundër variantit Omicron të përhapur me shpejtë, ka vendosur në zbatim një sërë kufizimesh, përfshirë edhe pasaportën e vaksinimit.

Në kuadër të rregullores është bërë e detyrueshme vendosja e maskës në shumë ambiente të mbyllura, si sallat e teatrit dhe kinemave, si dhe paraqitja e dokumentit që përfshin situatën e vaksinimit ose të testit në hyrjet në vende si klubet e natës.

Pasaporta e vaksinimit do të zbatohet për ambientet e mbyllura ku ndodhen mbi 500 persona, ambientet e hapura me mbi 4.000 persona dhe për çdo ambient me mbi 10 mijë persona. Në këto vende mund të hyjnë ata të cilët paraqesin dokumentin që tregon marrjen e të paktën dy vaksinave ose rezultatin negativ të testit.

Gjithashtu është bërë ligj edhe rregullorja lidhur me vaksinimin e punonjësve të shëndetësisë që nga muaji prill.

Në vendin ku që nga e hëna u zbatua sërish praktika e punës nga shtëpia, është njoftuar se rastet e variantit Omicron mund të tejkalojnë 1 milion deri në fund të muajit.

Me ndikimin e Omicron-it, për të gjithë të rriturit u hapën prenotimet për dozën përforcuese dhe kjo situatë shkaktoi që përpara spitaleve dhe qendrave të vaksinimit të formohen radhë të gjata.

Pas rritjes me shpejtësi të rasteve të variantit Omicron, i cili për herë të parë u vërejt me 27 nëntor, në vend niveli i alarmit nga 3 u rrit në 4.

Edhe ekspertët kanë paralajmëruar se në vend mund të humbin jetën nga 25 deri në 75 mijë persona nëse nuk merren masa të ashpra kundër variantit Omicron.

Franca

Në Francë janë përcaktuar 133 raste me variantin omicron.

Në vend janë marrë disa masa kundër rasteve omicron dhe rritjes në numrin e rasteve.

Që nga sot në Francë mund të vaksinohen kundër COVID-19 fëmijët në grup moshën 5-11 vjeç të cilët vlerësohen si të “rrezikuar” në aspektin e shëndetit.

Me 10 dhjetor në vend u mbyllën për 1 muaj klubet e natës.

Italia

Në Itali, ku në javët e fundit rastet kanë treguar trendin e rritjes, qeveria me një dekret në fuqinë e ligjit që nxori dje ka futur deri me 31 mars 2022 gjendjen e jashtëzakonshme e cila është në fuqi në kuadrin e luftës kundër pandemisë.

Në 24 orët e fundit në vend janë shënuar mbi 20 mijë raste, si dhe 27 raste të variantit Omicron.

Ministri italian i Shëndetësisë Roberto Speranza, me një dekret të nënshkruar në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme solli masa të reja për personat që do të vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian (BE).

Sipas kësaj, për personat e vaksinuar kundër COVID-19 që do të vijnë nga vendet e BE-së është vendosur detyrimi që të paraqesin rezultatin “negativ” të testit përpara udhëtimeve të tyre në Itali. Ndërsa personat që nuk janë vaksinuar asnjëherë që do të vijnë sërish nga Evropa përveç testit me rezultatin “negativ” do të qëndrojnë në karantinë 5 ditë që nga dita e hyrjes në Itali.

Për personat që do mbërrijnë në vend nga BE-ja, është vendosur kushti që testet e shpejta të jenë kryer brenda 24 orëve si dhe në rastin e testeve molekulare të jenë të kryera brenda 48 orëve.

Praktika në fjalë do të fillojë me 16 dhjetor dhe do të vazhdojë deri me 31 janar 2022.

Për shkak të Omicron-it Italia ka zgjatur deri më 31 janar 2022 afatin e ndalesës së udhëtimit që vendosi me 26 nëntor për Afrikën e Jugut, Lesoton, Botsvanën Zimbabven, Mozambikun, Namibinë, Esvatinin dhe Malavin.

Spanja

Rasti i parë i variantit Omicron të COVID-19 në Spanjë u përcaktua me 29 nëntor dhe sipas të dhënave të fundit nga Ministria spanjolle e Shëndetësisë, në vend janë regjistruar 49 raste nga ky variant.

Ministria ka njoftuar se vetëm 17 nga këto raste janë udhëtarë të ardhur nga vendet në jug të Afrikës.

Spanja në situatën aktuale zbaton kushtin e karantinës 10-ditore për udhëtarët që vijnë nga 9 vendet në jug të Afrikës.

Në anën tjetër, në Spanjë vazhdon rritja në numrin e rasteve të reja të COVID-19. Ministria ka njoftuar e në 24 orët e fundit janë regjistruar mbi 26 mijë raste dhe se 58 persona kanë humbur jetën.

Që nga 14 dhjetori, në vend ka filluar vaksinimi kundër COVId-19 për fëmijët e grupmoshës 5-11 vjeç. Procesi i dytë i vaksinimit për COVID-19 në vend ka përfunduar për 79 për qind të popullatës, ndërsa po diskutohet që vaksinimi me dozën e tretë i filluar prej një muaji për personat mbi 60 vjeç të përfshijë edhe personat deri në 40 vjeç.

Ndonëse masat për COVID-19 zbatohen sipas vendimeve të qeverisjes vendore individuale, në 17 administratat autonome në vend nuk ka kufizime të mëdha në aspektin e përgjithshëm.

Austria

Sipas të dhënave të fundit një njoftuara nga Ministria e Shëndetësisë, në Austri janë përcaktuar 59 raste të Omicron-it në mbarë vendin.

Ministri austriak i Shëndetësisë, Wolfgang Mückstein, në një deklaratë tha se Omicron përhapet më shpejt se Delta, por që në rastet e regjistruara deri më sot ecuria e sëmundjes ka kaluar lehtë.

Për të parandaluar variantin Omicron në vend zbatohet procesi një karantine më të rreptë kundrejt personave të kontaktit.

Sipas kësaj, personat e kontaktit të vaksinuar apo të pavaksinuar janë të detyruar të hyjnë në karantinë për një periudhë 14-ditore. Për personat e kontaktuar me variantin Delta afati i karantinës ishte 10 ditë dhe dalja nga karantina ishte e mundur në rast të rezultatit negativ të testit PCR të kryer në ditën e pestë të karantinës.

Belgjika

Pas zbulimit të variantit Omicron për herë të parë në Afrikën e Jugut, rasti i parë me Omicron në Evropë u regjistrua në Belgjikë. Pas gjetjes më 26 nëntor të këtij varianti në Belgjikë, u njoftua se ky variant përhapet me shpejtësi.

Që nga data 14 dhjetor, në Belgjikë theksohet se 3 për qind e rasteve ditore janë me Omicron. Kjo përkon me 400 raste Omicron nga 13 mijë raste ditore të regjistruara.

Zyrtarët belgë të shëndetësisë parashikojnë se Omicron do të tejkalojë Deltën në fund të janarit dhe se do të jetë varianti dominant në vend.

Pas përcaktimit të variantit të ri në vend nuk janë marrë masa shtesë. Masa të reja nuk u shtuan pasi ato ishin shtrënguar në muajin nëntor kundër rasteve në rritje me ardhjen e vjeshtës.

Qeveria e Belgjikës kërkon rritjen e të vaksinuarve në vend si dhe vaksinimin me dozën e tretë të personave që janë vaksinuar plotësisht. Me këtë qëllim pritet që pa përfunduar viti të fillohet një fushatë e re për dozat e treta.

Gjithashtu, qeveria ka vendosur në rendin e ditës mendimin për ta bërë të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë popullatën dhe theksohet se lidhur me këtë javën e ardhshme do të zhvillohen bisedimet brenda qeverisë. Në Belgjikë që nga 1 prilli vaksinimi do të jetë i detyrueshëm për punonjësit e shëndetësisë.

Bullgaria

Në Bullgari nuk janë zbuluar raste të Omicron-it.

Kryeministri i qeverisë së re të koalicionit, Kiril Petkov, ka theksuar se fushata e vaksinimit do të jetë në plan të parë në mënyrë që të mos jenë të detyruar të mbyllin ekonominë përballë valës së re të pandemisë.

Holanda

Në Holandë është zgjatur me 1 muaj “mbyllja e pjesshme” e cila është vendosur për shkak të COVID-19.

Qeveria e përkohshme në Holandë ka njoftuar se për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron do të zgjasë për 1 muaj, deri me 14 janar, “mbylljen e pjesshme” 3-javore që vendosi në zbatim për shkak të rritjes në numrin e rasteve me COVID-19.

Sipas masave që filluan me 28 nëntor dhe që u zgjatën deri me 14 janar, dyqanet do të mbyllen që nga ora 17:00.

Ndërkaq, kafeteritë, restorantet dhe supermarketet do të mund të qëndrojnë të hapura nga ora 05:00 deri në 20:00.

Qeveria, e cila mendon se Omicron do të shkaktojë një valë të re, ka theksuar se drejt fundit të janarit mund të aplikohet doza e tretë e vaksinës për të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Rastet e para të Omicron-it në vend u regjistruan tek 18 prej 624 udhëtarëve që u kthyen me 26 nëntor nga Afrika e Jugut.

Instituti Shtetëror për Shëndetin dhe Mjedisin (RIVM) i lidhur me Ministrinë holandeze të Shëndetësisë, ka njoftuar se ka arritur në 105 numri i personave që kanë mundur të konfirmohen deri më sot me variantin Omicron.

Greqia

Në Greqi, teksa nuk është marrë ndonjë masë shtesë kundër variantit Omicron, thuhet se në vend janë përcaktuar 5 raste të variantit Omicron.

Danimarka

Në Danimarkë, ku numri rasteve ditore është rreth 10 mijë, theksohet se që nga 22 nëntori e deri më tani janë zbuluar 3.437 raste me Omicron.

Në vend pritet që Omicron të jetë varianti dominues brenda kësaj jave. Për të marrë nën kontroll Omicron-in, është vendosur që të zbatohet doza e tretë (doza përforcuese) për personat mbi 40 vjeç.

Norvegjia

Në Norvegji ditët e fundit është shënuar rekord në numrin e rasteve dhe shtrimeve në spital.

Autoritetet norvegjeze kanë paralajmëruar se situata në vend është serioze dhe nëse masat aktuale mbeten të pamjaftueshme, Omicron mund të ngjitet tek 90 mijë deri në 300 mijë persona në ditë në 3 javët e ardhshme.

Ditën e hënë në vend u regjistruan 958 raste me Omicron, 472 prej të cilave në kryeqytetin Oslo.

Teksa u ndalua shërbimi i alkoolit në bare dhe restorante, popullatës në vend iu bë thirrje që të punojnë nga shtëpia.

Hungaria

Varianti Omicron në Hungari u zbulua tek 2 persona më 13 dhjetor. Në vend nuk u mor asnjë masa kundër këtij varianti.