Vatrat e zjarrit në vend, KLSH zbret në terren, nis kontrollin ndaj strukturave që menaxhojnë shuarjen e flakëve

Zjarret e shumta në vend, ka bërë që Kontrolli i Lartë i Shtetit të nisë kontrollin në terren, ndaj strukturave që menaxhojnë shuarjen e zjarreve.

Me urdhër të kryetarit Arben Shehu, kontrollet kanë nisur në të gjitha hallkat e strukturave të reagimit kundër zjarrit. Inspektorët e KLSH kanë zbritur në të gjitha qytetet problematike përfshirë Vlorën dhe Fierin ku situata paraqitet më e rëndë.

Kontrolli do të verifikoj menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve, duke nisur që përdorimi i pajisjeve si dhe anën organizative.

KLSH gjithashtu do të verifikoj tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve. Nëse do të hasen shkelje përgjatë kësaj situate, do të ketë referime përkatëse në prokurori.

Aktualisht sipërfaqe të tëra janë duke u djegur në pika të ndryshme, ndërsa më problematike paraqitet situata në Karaburun ku zjarri po i afrohet parkut të Llogarasë si dhe vëndhedhja e mbeturinave në Fier.