Vendimi i Bundestagut, Meta: Urgjent të zgjidhet kriza politike

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e Bundestagut që Gjermania të votojë pro hapjes së negociatave për anëtarësim me kushte për Shqipërinë.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se tashmë është koha që forcat politike në vendin tonë të gjejnë zgjidhje për krizën e rëndë politike. Kreu i shtetit thekson gjithashtu se duhet të përmbushen sa më shpejt edhe 9 kushtet e vendosura nga Gjermania.

“Falenderim i veçantë Bundestagut, veçanërisht grupit CDU-CSU për angazhimin e tyre serioz në mbështetje të integrimit të Shqipërisë! Tani urgjent të punohet për zgjidhjen e shpejtë të krizës së rëndë politike dhe plotësimin e 9 kritereve të qarta! Po të ishin dëgjuar këshillat e tyre në kohë, sot do të kishim marrë një vendim pa kushte ashtu si Maqedonia e Veriut. Reflektim serioz për t’i dhënë Shqipërisë një mundësi reale, jo imagjinare! Urime Maqedonisë së Veriut”, thotë Presidenti Ilir Meta.