Presidenti i vetëshpallur i Venezuelës, Juan Guaido publikoi planin zhvillimor të vendit të enjten, raporton Anadolu Agency (AA).
Guaido e dorëzoi planin e tij në Universitetin Qendror të Venezuelës në kryeqytetin Karakas dhe bëri thirrje për përmirësimin e qeverisë dhe vënien e saj në shërbim të popullit. Ai tha se dëshiron të ndërtojë besim në tërheqjen e investimeve që do të integronin Venezuelën me botën.
Udhëheqësi i opozitës theksoi se qeveria duhet të ballafaqohet me problemet me të cilat janë përballur venezuelasit në fushat e energjisë elektrike dhe shërbimeve të tjera.
“Populli është në qendër të këtij plani. Sektorët më të rëndësishëm për zbatimin e saj janë fermerët, forcat e armatosura dhe bashkësia ndërkombëtare”, tha Guaido.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Rusisë dhe Kinës, vendet që mbështesin presidentin e zgjedhur Nicolas Maduro për të arritur marrëveshje. Ai shtoi se ndihma humanitare është prioritet dhe se plani i tij zhvillimor nuk është diçka e re, por rezultati i një angazhimi të përkushtueshëm disavjeçar.
Guaido i ftoi venezuelasit të dalin në rrugë në protestat e së shtunës, veçanërisht në Karakas.
Venezuela u trondit nga protestat që filluan më 10 janar, kur presidenti Maduro u betua për mandatin e dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita. Tensionet u rritën më tej kur Guaido shpalli veten president të përkohshëm më 23 janar.
Midis vendeve që kanë njohur Guaidon janë: SHBA, Brazili, Argjentina, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Panama, Paraguaji.
Bolivia, Meksika, Rusia, Kina, Irani dhe Turqia mbështesin Maduron.
Fuqitë evropiane Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Spanja i bënë thirrje Maduros që të shpallë zgjedhje të parakohshme, për të lehtësuar krizën.



