Vetëm banorët e Arabisë Saudite do të lejohen të kryejnë haxhin këtë vit

Kushdo që merr pjesë duhet të jetë nën moshën 65 vjeç dhe të bëjë testin e koronavirusit përpara se të hyjë në vendet e pelegrinazhit në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës.

Autoritetet saudite thanë se rreth 1,000 njerëz –vetëm banorë të Arabisë Saudite – do të lejohen të bëjnë Haxhin vjetor, i cili këtë vit nis mbrëmjen e 28 korrikut dhe përfundon më 2 gusht.

Kushdo që merr pjesë duhet të jetë nën moshën 65 vjeç dhe të bëjë testin e koronavirusit përpara se të hyjë në vendet e pelegrinazhit në qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës.

Autoritetet në Arabinë Saudite, ku deri më 7 korrik janë regjistruar mbi 217,000 raste me koronavirus, kërkuan këtë vit që besimtarët në Haxh, përveç veshjes së thjeshtë të bardhë, të mbulojnë edhe fytyrën dhe të vendosin doreza.

Në Mbretërinë saudite kanë vdekur mbi 2,000 njerëz nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, transmeton REL.

Rregullat e distancës fizike, kontrollet e temperaturës dhe përdorimi i dezinfektuesve pritet të bëhen pjesë e masave të autoriteteve saudite, për të siguruar shëndetin e besimtarëve.

Turma prej 1,000 njerëzish është e vogël krahasuar me turmat normale të Haxhit, që zakonisht është tubimi më i madh i myslimanëve në botë. Vitin e kaluar, rreth 2.5 milionë njerëz e ndoqën pelegrinazhin.

Për shkak të krizës së koronavirusit, Arabia Saudite pezulloi edhe Umrën, një pelegrinazh më të vogël që –ndryshe nga Haxhi – mund të kryhet në çdo kohë të vitit. Rreth 7 milionë haxhinj të Umrës e vizitojnë këtë vend çdo vit.

Lajme të ngjashme