Vetëvendosje paralajmëron padi për akuzat e Thaçit ndaj “grupit të Kurtit”

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do t’i drejtohet organeve të drejtësisë, për deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi të cilat i bëri sot gjatë një konference për media...

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do t’i drejtohet organeve të drejtësisë, për deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi të cilat i bëri sot gjatë një konference për media.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Thaçi tha një mori të pavërtetash të qëllimshme dhe nxiti përçarje.
Për deklaratat se “ka pasur vendime selektive për karantinim, për rrezikun ndaj deputetit Behgjet Pacolli dhe vdekjen e 26-vjeçarit në Qendrën e Studentëve” Vetëvendosje thotë se janë shpifje dhe për to presidenti duhet të mbajë përgjegjësi.

Kjo parti thotë se këto deklarata e fyejnë rëndë integritetin e tyre politik, por edhe njerëzor dhe nxisin përçarje e mosdurim.

“Të tre këto deklarime që Presidenti tha janë larg të vërtetës ngase as nuk ka pasur vendime selektive mbi baza politike në Qendrën e Studentëve për karantim, as nuk ka pasur sinjale nga organet kompetente për rrezik ndaj deputetit Pacolli dhe nuk ka asnjë dëshmi të bazuar që dikush të marrë guximin të thotë që kemi të bëjmë me ‘shtyrje në vetëvrasje’. Përpjekja e Presidentit për të manipuluar politikisht vdekjen tragjike të një të riut tonë, pa i pritur as rezultatet e hetimeve zyrtare, është e patolerueshme në një shoqëri të civilizuar. I ndjeri dhe familja e tij nuk meritojnë një trajtim të tillë nga askush, lëre më nga një zyrtar i lartë shtetëror që, sipas Kushtetutës, do të duhej të përfaqësonte unitetin e popullit”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, është e trishtueshme të shihet se si Presidenti po e përdorë dhimbjen dhe fatkeqësinë e dikujt tjetër, për të hedhur baltë mbi institucionet e vendit, shkruan gazetaere.com.

“Presidenti, është duke mbuluar me turp postin që e mban, duke zvetënuar integritetin moral e shtetëror të figurës së Presidentit duke u kthyer në një zëdhënës të insinuatave të fabrikuara nga vet ai dhe rrjeti i ndikimit të tij ilegal. Ndjehet e dëshmohet se qytetarët në shumicë janë të distancuar nga një frymë e tillë përçarëse dhe jorrallë edhe në mungesë të humanitetit”, thuhet në deklaratën e tyre.